Vidh e bli vota; me ato merr e konsolido pushtet absolut; me këtë pushtet vidh financat dhe resurset e vendit; fut nën kontroll e bashkëpuno me krimin e organizuar; pastaj me gjithë këtë pasuri së bashku me mafien bli sërish zgjedhje e fuqizo pushtetin, për të vazhduar në këtë rreth vicioz pa mbarim.
Kjo është pak a shumë skema, që ka pasur gjithmonë në mendje Edi Rama dhe vënë në veprim nëpërmjet organizatës që gllabëroi Partinë Socialiste dhe gjithë të majtën në Shqipëri, Rilindjen
Por si çdo skemë, sado perfekte në dukje, edhe kjo e kishte një fije nga mund të kapej, të shthurej dhe të ndëshkohej në një moment të caktuar. Ky fill fatal për organizatën në pushtet, do të ishte Drejtësia e Re, e cila u votua me konsensus historik natën e 22 korrikut të vitit 2016
Pas këtij miratimi, “letra” e kësaj reforme duhej mbushur me ligje e akte nënligjore në parlamentin që do të dilte nga zgjedhjet e vitit 2017. Nga ai parlament do të përcaktoheshin e varej përzgjedhja edhe e shumicës së emrave për institucionet kryesore të kësaj Drejtësie të Re. Prandaj ato zgjedhje nuk duheshin 'fituar' thellë me çdo kusht dhe çdo mjet, vetëm për të marrë krejtësisht “timonin e tepsinë” e pushtetit, siç artikulohej Edi Rama. Nuk ke pse e do pushtetin absolut, nëse nuk ke garanci se një ditë nuk do të japësh llogari përpara një drejtësie të pavarur dhe të pakapur. Kaq gjë e dinte dhe e kishte kuptuar Edi Rama. Ndaj bërtiste aq shumë, se opozita ka frikë nga Reforma në Drejtësi; njësoj si ata xhepistët në urbanët e Tiranës, të cilët edhe pse e kanë portofolin e grabitur në xhep, drejtojnë gishtin diku tjetër duke bërtitur me të madhe; ai është hajduti!
Pra, pasi realizoi operacionin e grabitjes së zgjedhjeve, duke u vendosur vetë në krye të një shtabi okult, dhe mori në kontroll të plotë parlamentin, aksioni i parë që ndërmori në kuadrin e shkatërrimit dhe të kapjes së Reformës ishte pikërisht kapja e organit të akuzës; Prokurorisë së Përgjithshme.
Më 18 tetor të vitit 2017, parlamenti, tashmë në shumicë ngjyrë mavi, duke shkelur me këmbë e duar ndryshimet Kushtetuese që ishin bërë me 140 vota në 22 korrik të vitit 2016, dhe në kundërshtim flagrant me rekomandimet e Komisionit të Venecias, zgjodhi me vetëm 69 vota Prokuroren e ashtuquajtur të Përkohshme të Përgjithshme. Arta Marku u zgjodh në një post, për të cilin Kushtetuta e thotë germë më germë, se duhen të paktën 84 vota.
Edhe për ata që në fillim ishin skeptikë, apo të tjerë që ngritën me të madhe zërin për këtë emërim arrogant dhe antikushtetues, kjo ushtare pa kushte e Ulsi Manjës dhe Rilindjes, i tejkaloi të gjitha pritshmëritë negative në ato 2 vite `përkohshmërie`.
Pasi kapën dhe paralizuan prokurorinë me transferime, shkarkime e emërime të paligjshëm dhe vendosën në vendet kyçe njerëz besnik, nën hyqmin e Markut u shkatërruan të gjitha hetimet për blerje votash (dosjet 184 dhe 339), koncesionet e PPP skandaloze, si dhe ato për organizatat kriminale nën shërbim të Rilindjes. Ndërkohë kishte nisur ngjizja e institucioneve të reja, ndaj u kalua në fazën tjetër të operacionit “Radhën e ka Drejtësia”.
Më datën 11 dhjetor të vitit 2018, Arta Marku, thërret mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, ku me ndihmën e “ushtarëve” të saj dhe nën ndikimin plotfuqisë së karriges ku e uli Rama, votohen 6 anëtarë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), me synimin për të marrë kontrollin e këtij institucioni të rëndësishëm të Drejtësisë së Re.
Por në fillim të vitit 2019, disa prokurorë në KPL 'rebelohen' dhe refuzojnë të luajnë lojën e vënies së këtij institucioni jetik nën urdhrat e Rilindjes. Pas kësaj sërish thirret në skenë “kamikazja” jokushtetuese Arta Marku, e cila shkarkon nga detyra në organin e akuzës prokurorët `rebelë` që ishin votuar për në KPL. Thërret edhe njëherë mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve dhe zëvendëson të pabindurit ndaj Rilindjes me `ushtarë` të betuar, me në krye Gent Ibrahimin. Ky i fundit që tashmë është në krye të KLP, përveç të tjerave, si pjesëtar në hartimin e Reformës e kishte të ndaluar që të bëhet pjesë e institucioneve të reja që do të ngrinte ajo, por Rilindja nuk pyet për “vogëlsira” të tilla.
Pasi u kopsit edhe kjo punë, në fund të vitit 2019 KLP tashmë nën kontroll të plotë të partisë, liston kandidaturat për prokurorin e Përgjithshëm dhe anëtarët e SPAK.
Tani jemi në muajt e parë të vitit 2020 dhe KLP, prokurori i Përgjithshëm, shumë anëtarë të SPAK, rezultojnë produkt direkt i kësaj skeme mafioze të Rilindjes, të paramenduar menjëherë pas vjedhje e blerjes “plebishitare` të zgjedhjeve të vitit 2017.
Kjo është vetëm faza e kapjes së asaj pjese të Drejtësisë së Re, që do të merret me hetimin dhe akuzën. Ndërkohë jemi duke parë filmin në vazhdim, për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, i cili duket ka derdhur edhe gotën plotë me denoncime e revoltë sistematike të presidentit Ilir Meta!
Operacioni “Radhën e ka Drejtësia”, vazhdon...