Propozimet e opozitës për Reformën Zgjedhore/ Bylykbashi i përgjigjet Gjiknurit: Numërimi elektronik realizohet në të gjithë vendin

Premte, 28 February 2020 14:34

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashki dhe përfaqësuesi i PD-së në Reformën Zgjedhore ka bërë të ditur se opozita ka dorëzuar propozimet konkrete për identifikimin, votimin dhe numërimin elektronik.

Në deklaratën e tij, Bylykbashi shprehet se kush bllokon propozimet, do manipulimin e zgjedhjeve.

I pyetur për deklaratën e bashkëkryetarit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjinkuri se kërkonin kohën e mjaftueshme për të parë nëse teknologjia mund të shtrihej në të gjithë vendin, Bylykbashi u shpreh se propozimi i opozitës është i thjeshtë dhe pjesë të tij së paku janë të realizueshme në të gjithë Shqipërinë, sa i përket identifikimit të qartë të gjithë shqiptarëve.

Deklarata e plotë e Bylykbashit dhe pyetjet e gazetarëve:

Opozita e Bashkuar ka bërë sot propozimin për një nga çështjet kryesore të axhendës së opozitës në reformën zgjedhore, tashmë që nga viti 2016, futjen e identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimin dhe numërimin elektronik të votave.

Është një propozim i detajuar, fare i qartë, i thjeshtë për t’u zbatuar, absolutisht i realizueshëm, i cili do të bëjë të mundur që të heqë duart e të gjithë atyre horrave zgjedhorë që kemi çuar në të shkuarën, të cilët manipulojnë votat e shqiptarëve duke mbushur kutitë e votimit, duke votuar në emër të emigrantëve dhe duke votuar më shumë sesa një herë.

Nëse nuk trajtohet në këtë formë, probleme të tilla që janë në dukje banale, por në fakt janë kanceri i procesit të votimit dhe më pas edhe i numërimit, shqiptarët do të vazhdojnë të vuajnë nga zgjedhjet të cilat janë të papranueshme dhe të pabesueshme.

Pra, propozimi ynë sotëm është një adresim i drejtpërdrejtë i një numri të rëndësishëm të rekomandimeve prioritare të OSBE/ODIHR-it, por mbi të gjitha, shqetësimesh që kanë shqiptarët për zgjedhjet në Shqipëri.

Kemi kohë që e propozojmë. Rezistenca ka qenë e gjatë në kohë. Shpresojmë që të kemi dakordësi që shqiptarët në të gjitha qendrat e votimit në zgjedhjet që vijnë të kenë mundësinë të identifikohen në mënyrë të besueshme dhe askush të mos fusë duart në kutitë e votimit dhe t’i mbushë ato me vota emigrantësh, që nuk kanë ardhur kurrë në Shqipëri apo me vota të falsifikuara.

Ky do të ishte një hap i madh, i cili na çon më pas edhe drejt hapash të tjerë në lidhje me depolitizimin e komisioneve zgjedhore që, përndryshe, askush nuk i beson propozimet e qeverisë, që nuk çojnë gjë tjetër veçse në kapjen e administrimit nga qeveria.

Kush bllokon këto hapa të rëndësishëm të reformës zgjedhore, jo vetëm për votimin, por edhe për propozime të tjera që kemi bërë ne, praktikisht nuk do që problemet e rënda që u konstatuan në vitin 2015, 2017, 2019 të ikin nga zgjedhjet dhe do që zgjedhjet të jenë të manipuluara dhe deri më sot kjo është provuar në sytë e shqiptarëve, vetëm Edi Rama.

Z.Bylykbashi, z.Gjiknuri tha pak më herët që kërkonin pak kohë për të vërtetuar përmes ekspertëve nëse mund të shtrihet teknologjia në të gjithë Shqipërinë. Për ju kjo do të shihet si pengesë nga ana e maxhorancës?

Oerd Bylykbashi: T’i lëmë kohën e mjaftueshme, që është minimale, për të parë propozimet tona që janë të thjeshta dhe të qarta, të cilat janë të diskutuara edhe në stad të avancuar që nga viti 2018, nuk nis sot ky debat, por aq më shumë, të dakordësuara që në vitin 2012 kur maxhoranca e Partisë Demokratike, qeveria e kryeministrit Berisha, pranoi propozimet e opozitës së asaj kohe, që të trajtojë aspektet e teknologjisë së votimit për të hequr manipulimin zgjedhor. Uroj që nuk do të jemi përballë justifikimesh. Propozimi ynë është i thjeshtë dhe pjesë të tij së paku janë të realizueshme në të gjithë Shqipërinë përsa i përket identifikimit të qartë të gjithë shqiptarëve.

Po për çështjen e sistemit zgjedhor, do të sillni propozime javën tjetër?

Oerd Bylykbashi: Çështjet e axhendës për javën tjetër do të përcaktohen, do t’i merrni në njoftimet që bën Këshilli Politik.

Login to post comments