Këto ditë kemi parë raportime të shqiptarëve që kanë mbetur të bllokuar nëpër vende të ndryshme të botës pasi janë mbyllur të gjithë kufinjtë e vendit.
Rrëqethës ishte apeli i një arbitri të mbetur jashtë shtetit me fëmijët. Ai thotë se fëmijët nuk kanë më për të ngrënë.
Burime të Syri.net thonë se problemi është shumë i madh. Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj ka mbi dhjetë ditë që nuk duket në zyrë, kurse udhëzimet po i jep zëvendësi i tij.
Por Shqipëria është i vetmi vend që u ka ndaluar hyrjen shtetasve, duke i inkurajuar që të qëndrojnë atje. Lajmi i mirë që u ka dhënë është se disa shtete nuk do i penalizojnë për qëndrimin tej afateve të lejuara.
Se me çfarë të ardhurash do të qëndrojnë atje, këtë nuk e sqaron askush. Burimet thonë se janë qindra qytetarë që jetojnë dhe flenë ku të munden, nëpër rrugë, dogana, aeroporte, makina dhe në rastin e mirë te ndonjë mik që u hap derën. Vetëm në Milano thuhet se janë mbi 350 të bllokuar.
Vërtet ka disa shtete që kanë lejuar shtyrjen e qëndrimit në zonën Shengen, por Danimarka dhe Greqia nuk e kanë pranuar marrëveshjen dhe do të ushtrojnë penalitete.
Shtetet e tjera normale kanë krijuar mundësinë që këta qytetarë të kthehen në vendlindje dhe të karantinohen.
Teksa shqiptarët e shpërndarë si zogj nëpër botë janë në mëshirë të fatit, kryeministri shqiptar është izoluar në Surrel prej nga jep urdhra për izolimin e vendit, kurse kabineti qeveritar i ka ikur në drejtim të paditur.