Në një lidhje direkte për Syri TV, ish-deputeti demokrat Bardh Spahia teksa komentoi situatën me Covid-19 në Shqipëri, përsëriti thirrjen për sa më shumë testime.
Sipas Spahisë, kurba e infektimeve është e paqëndrueshme, ndërsa akuzoi qeveria i mban të reduktuara shifrat për të prekurit nga Covid-19.
"SI mund të jetë situata nën kontroll kur realizohen një mesatare prej 100-110 testimesh në ditë. Në një kohë kur do duhej që në vatra të caktuara të kishte me qindra testime. Dëgjova një justifikim nga ana e zv.ministres. Personat që mund të testohen mund të dalin nesër të infektuar, është justifikim amatori. Turp ta dëgjojmë në gojën e çdo profesionist. Udhëzimet thonë se, personat me risk jo vetëm që duhen testuar, por duhen edhe ritestuar. Janë justifikime që nxjerrin në pah mungesën e marrjes së masave. E konfirmuar edhe nga deklaratat e ministres së shëndetësisë. Kryeministri deklaroi se kemi kapacitet për të zhvilluar 2 mijë testime në ditë. Një javë u përgënjeshtrua nga vetë ministrja duke deklaruar për 200-500 testime në 24 orë", tha Spahia.
I pyetur mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në studimin e OBSH, gjë të cilën pak më herët, po në Syri TV, zv.ministrja Mira Rakacolli e përgënjeshtroi, Spahia u shpreh:
"Ishte vetë ministrja që deklaroi pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë studim që kërkon përfshirjen e sa më shumë shteteve. Deri tani flitet për 100 vende për të marrë informacione mbi 4 opsione trajtimi. Ministrja e ka thënë qartë që do të jetë pjesë e Solidarity Trial. Shqetësues është fakti se, pse Shqipëria vendos të marrë pjesë në një nismë të tillë duke patur mangësi në mbikqyrjen e një procesi të tillë. Shtetet e tjera kanë kapacitete. Kjo nuk është obliguese".