Zgjedhjet në universitet, Presidenti Meta del me një deklaratë: Në situatën ku ndodhemi duhet bashkëpunim. Procesi transparent dhe gjithëpërfshirës

E Enjte, 07 May 2020 21:27

Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka dalë me një deklaratë lidhur me situatën e zgjedhjeve në universitetet publike.


Sipas tij, referuar situatës ku ndodhemi, për shkak të pandemisë, mbajtja e këtyre zgjedhjeve duhet të mishërojë parimet kushtetuese, të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore dhe të jetë transparent e gjithëpërfshirës.

DEKLARATA
Lidhur me situatën e zgjedhjeve në universitet publike, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, thekson se ky është një proces tejet i rëndësishëm për të rinovuar autoritetet e reja dhe organet drejtuese të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri.

Ky proces i ri zgjedhor duhet të mishërojë parimet kushtetuese, të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore dhe të jetë transparent e gjithëpërfshirës.

Ndaj, në kushtet specifike në të cilat ndodhemi, është shumë i rëndësishëm angazhimi dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve dhe institucioneve që kanë përgjegjësi në këtë proces. Është detyrë e tyre të harmonizojnë të gjitha veprimet dhe aktet rregullatorë, në mënyrë që ky proces i ri zgjedhor të garantojë pavarësinë, autonominë, konkurrencën e lirë, transparencën dhe integritetin për të arritur një rezultat të gjithëpranuar dhe për të përmbushur objektivat e Arsimit të Lartë në Shqipëri.

Login to post comments