Sot pranë gjykatës së Tiranës u zhvillua seanca e parë për çështjen “Kajmaku”. Avokati i Agim Kajmakut, Z. Isuf Shehu depozitoi në sekretarinë e gjykatës kërkesën për përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Znj. Shefkie Demiraj.
Në kërkesën e siguruar nga BalkanWeb, përmendet se ka indicie që Znj. Demiraj është në proces Vettingu, proces ky që kryesohet nga Znj Pamela Qirko (Balluku) motra e Znj. Belinda Balluku, e cila rezulton, sipas informacioneve mediatike dhe të dhënave të tjera, kundërshtarja e vetme politike ndaj ish-kryebashkiakut të Vorës.
Nga ana e avokatit, ky fakt përpërbën një shkak të rëndësishëm anshmërie, që parashikohet në nenin 17, pika “ë”, i Kodit të Procedurës Penale.
Dihet botërisht, rëndësia e procesit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët mund të rrezikojnë vendin e punës.
Nuk janë të pakta rastet kur gjyqtarët dhe prokurorët nën trysninë e vettingut, janë bërë pjesë e skemave dhe intrigave politike në vend, duke u bërë kështu palë me lojërat politike në dëm të interesave të qytetarëve apo dhe individëve me kredenciale publike, dhe kanë krijuar pikëpyetje të shumta mbi kredibilitetin e reformës në sistemin e drejtësisë që aq shumë është propaganduar gjatë këtyre viteve.