Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka qënë sot pranë banorëve të njësisë administrative Sukth zonë e përmbytur si pasojë e rreshjeve të ditëve të fundit.
Meta thotë se këto familje veç përmbytjeve vuajnë prej ditësh mungesën e ujit të pijshëm dhe rezervave ushqimore, për shkak se asnjë autoritet shtetëror nuk i ka paralajmëruar në kohë për të marrë masat e nevojshme. Ata, shton Presidenti, kanë sot nevojë emergjente për shërbime dhe jo për propagandë.
STATUSI I PLOTE
Sot isha pranë banorëve të njësisë administrative Sukth, në fshatrat Vadardhë, Rrushkull e Hamallaj, të përmbytura si pasojë e rreshjeve të ditëve të fundit, të cilët veç pasojave të tërmetit dhe pandemisë, po vuajnë nga dëmet e motit të keq dhe mungesa e ndihmës shtetërore.
U informova prej tyre se dalja e lumit Erzen nga shtrati, ka izoluar me dhjetëra familje, shumë prej të cilave me prezencë shqetësuese uji, ka përmbytur mijëra hektarë tokë bujqësore, ka dëmtuar argjinaturat, si dhe ka bllokuar të gjitha kanalet kulluese dhe tumbinot.
I papranueshëm është fakti se këto familje po vuajnë prej ditësh mungesën e ujit të pijshëm dhe rezervave ushqimore, për shkak se asnjë autoritet shtetëror nuk i ka paralajmëruar në kohë për të marrë masat e nevojshme.
Problematikë ka edhe në sigurimin e ushqimit për kafshët, duke vënë në rrezik dhjetëra krerë bagëti, burim i vetëm i të ardhurave të tyre.
Për shkak të pasojave të tërmetit, të COVID-19, krizës ekonomike të shkaktuar prej tyre dhe rëndimit të gjendjes nga përmbytjet, është emergjente menaxhimi më i mirë i situatës, duke patur prioritet absolut mbrojtjen e shëndetit, jetës dhe pronave të qytetarëve të rrezikuar, të cilëve duhet t’u garantohen ushqime, ujë të pijshëm dhe medikamente mjekësore.
Është e trishtë dhe e papranueshme për Shqipërinë e vitit 2021 kur dëgjon nga goja e kuksianëve të vendosur në Vadardhë, se janë të detyruar të shesin bagëtitë për të investuar privatisht në ngritjen e argjinaturave për t’u mbrojtur nga përmbytjet.
Fatura e përmbytjeve nuk duhet të rëndojë mbi qytetarët, të cilët kanë sot nevojë emergjente për shërbime dhe jo për propagandë