Shqipëria ka nisur prej ditës së sotme vaksinimin kundër COVID-19. Një nga të parët që mori dozën e “Pfizer” ishte kryeministri Edi Rama. Për gazetarin Andi Bushati i gjithë procesi se si janë siguruar vaksinat e para, transporti dhe ruajtja e tyre është mbajtur e fshehtë duke shkelur sipas tij dhe ligjet e vendit.
“Ajo që mua më shqetëson është sepse duket sikur jetojmë në një republikë autokratike. Pse e them këtë, kemi parë italianët, gjermanët, francezët që e dinë kur vjen një vaksinë ndërsa ne nuk dihet se nga vjen. Vendi sekret, vendmbajtja sekret, transporti sekret. Vendet perëndimore e tregojnë”, tha z. Bushati.
Gazetari e cilësoi si spektakël nisjen e vaksinimit duke thënë se, mesazhi është: “O shqiptar, e keni vaksinën vetëm se keni Edi Ramën kryeministër”. Kjo është pak si shumë”.
Andi Bushati ngriti pikëpyetje të mëdha duke sjellë në vëmendje dhe debatin në Britaninë e Madhe për ruajtjen e vaksinave në temperaturë -70 gradë celsius por dhe theksoi se janë shkelur ligjet. “Nuk di a janë ujë apo vaksinë. Ligji i shtetit shqiptar nuk lejon kategorikisht medikamente pa ditur origjinë dhe kushte e transportit. Është shkelur ligji. Duhet krijuar fabula e mbinjeriut dhe po i shërbejmë këtij vendi gjëra të pamundura. Nuk ka vend të botës që nuk ka nxjerrë grafik, vetëm Shqipëria bën propagandë vendos atë lulen e diellit”, tha Bushati.
Lidhur me rolin e Ramës si negociator mes Greqisë dhe Turqisë, Andi Bushati thotë se kjo histori nuk u thotë asgjë shqiptarëve, por i shërben propagandës së shefit të qeverisë. “Rama në 8 vjet në politikën e jashtme është sjellë si kryetar i një familjeje, që hedh të gjitha paratë e familjes në bixhoz dhe në fund harron t’i dërgojë familjes kilen e domates në darkë. Ai harron punët e përditshme të vendit, për të marrë rolin dhe areolën e një lideri global. Kjo është një histori, e cila për shqiptarët nuk do të thotë asgjë”, tha Andi Bushati