Reforma në Drejtësi/ Vasili: Rama dhe Rilindja e kanë trajtuar me moton ”ta kapim me çdo kusht”

E Enjte, 24 June 2021 17:52

 

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka renditur një sërë faktesh që sipas tij, Edi Rama dhe Rilindja, Reformën në Drejtësi e trajtojnë me moton ”ta kapim me çdo kusht”. ”Rama dhe Rilindja Reformën në Drejtësi e ka trajtuar me moton shkatërrimtare “të kapim drejtësinë me çdo kusht e me çdo çmim”. Reforma në Drejtësi e votuar me konsensusin historik të 21-22 korrikut dhe me miratimin e Komisionit te Venecias u zhbe hap pas hapi nga Rilindja”,-shkruan Vasili në facebook. Më tej Vasili nënvizon se dhunimi i konsensusit dhe kapja e rrëmbimi nga Rilindja është denoncuar dhjetëra e dhjetëra herë nga opozita, shoqëria civile dhe aktorë të tjerë. ”Mbyllja e qëllimshme e syve nga ndërkombëtarët ka sjellë zhgënjimin e madh të qytetarë, ku shumica dërrmuse e tyre nuk besojnë më te Reforma në Drejtësi”.

Postimi i plotë

Të vërtetat e hidhura të Reformës në Drejtësi. Me shumë të drejtë z.Elez Biberaj, Drejtor i ”Zërit të Amerikës” për Europën dhe Azinë, që në prill të vitit 2019 thoshte se “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vë në dukje se Reformat e Drejtësisë janë dëmtuar nga korrupsioni i përhapur”. “Vendi po përjeton praktikisht zhbërjen e sistemit të kontrollit dhe balancave, dhe gjyqësori duket i paralizuar. “Rama është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën”, thotë Biberaj.

Rama dhe Rilindja Reformën në Drejtësi e ka trajtuar me moton shkatërrimtare “të kapim drejtësinë me çdo kusht e me çdo çmim”. Reforma në Drejtësi e votuar me konsensusin historik të 21-22 korrikut dhe me miratimin e Komisionit të Venecias u zhbe hap pas hapi nga Rilindja.

1-Institucionet e reja u ngritën me shkelje skandaloze të ligjit duke filluar nga KLP dhe KLGJ, ku u zgjodhën anëtarë të tyre gjithfarë personash në dhunim të hapur me ligjin:
a.disa, që ONM i rrëzoi si të padenjë,
b.disa, që kishin qenë spiunë të sigurimit,
c.disa, që kishin bërë gjyqe politike në kohë të komunizmit,
d.disa, që kishin bërë evazion fiskal.

2-Prokurorja e Përgjithshme u zgjodh pa Vetting dhe me 69 vota nga 84, duke dhunuar rëndë Kushtetutën.

3-KED u bllokua për një kohë të gjatë në dhunim të kushtetutes.

4-Afatet kushtetuese të Reformës në Drejtësi të votuar në 21-22 korrik u shkelën të gjitha.

5-Konkurimi per vendet e reja ishte shpesh fiktiv, pa gare dhe pa numrin minimal te konkurenteve per cdo post, duke bere kontrollin e procesit nga rilindja, duke ulur dukshem cilesine dhe duke realizuar thjesht mbushjen e vendeve dhe kapjen e institucioneve te reja te drejtesise.

6-SPAK dhe BKH filluan funksionimin pa numrin e ligjshëm të anëtarëve të tyre.

7-Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë sot pa numrin e plotë të funksionimit, duke kaluar çdo afat kushtetues.

8-Gjatë procesit të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese u vërtetua tentativa mafioze për të rrëmbyer anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që ishin kompetencë e Presidentit.

9-Dhjetëra ligje të Reformës në Drejtësi janë ndryshuar ende pa filluar akoma funksionimi i tyre, në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me Komisionin e Venecias, me nisma të qeverisë dhe me një parlament jolegjitim.

10-Asnjë strategji nuk u hartua për të zgjidhur kolapsin total të sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet ku mungesat në personel janë kritike dhe ku dhjetëra mijëra dosje kanë mbetur pa u trajtuar që nga Gjykata e Lartë me 36 mijë dosje e deri tek Gjykatat e të gjitha niveleve.

11-Vetting-u me standarte të dyfishta u kritikua hapur nga Komiteti i Helsinkit që shprehej “vëzhguesit e KSHH-së kanë evidentuar raste sporadike të standardeve të dyfishta në vendimmarrjen e KPK-së, ndaj kemi mendimin se praktika e vettingut ka nevojë të konsolidohet. Procesi i rivlerësimit është bazuar kryesisht në kriterin e pasurisë, duke mos patur në konsideratë edhe dy kriteret e tjera: atë të vlerësimit të figurës dhe të aftësive profesionale”, thotë Erida Skëndaj, drejtuese e KSHH-së.

Dhunimi i konsensusit dhe kapja e rrëmbimi nga Rilindja e Reformës në Drejtësi është denoncuar dhjetëra e dhjetëra herë nga opozita, shoqëria civile dhe aktorë të tjerë. Mbyllja e qëllimshme e syve nga ndërkombëtarët ka sjellë zhgënjimin e madh të qytetarëve, ku shumica dërrmuse e tyre nuk besojnë më te Reforma në Drejtësi.

Kjo del qartë edhe nga përfundimet e sondazhit të dytë të realizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjatë muajit Shkurt 2019, në kuadër të iniciativës “Për të rritur transparencën, gjithëpërfshirjen dhe përgjegjshmërinë në procesin e Vetting-ut 2” e mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

“Studimi provon se 63.3% e qytetarëve nuk e besojnë Vetting-un. 63.3 % e qytetarëve mendojnë se Vetting-u, ashtu siç po zhvillohet, nuk është një proces i drejtë. 62.5% e qytetarëve mendojnë se Vetting-u nuk do ta pastrojë drejtësinë”. Këto janë të vërtetat e mëdha e të hidhura e të pamohueshme të Reformës në Drejtësi. Anashkalimi i qëllimshëm i këtyre të vërtetave është thelbi i dështimit. Zgjidhja e vetme është përballja me këto të vërteta, ndërsa e kundërta është propaganda dhe patetizmi që do të çonte në thellimin pa kthim të tyre

Login to post comments