U arrestua për aferën e inceneratorëve, përfundon në spital Lefter Koka

Premte, 21 Janar 2022 17:02

 

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka i arrestuar në 14 dhjetor 2021 për skandalin e inceneratorëve, është shtruar në spital.

Koka ka shfaqur probleme me shëndetin.

 

Mësohet se ish-ministri Koka është shtruar në spitalin e Burgjeve pranë QSUT, pasi ka shfaqur çrregullime të sistemit kardiak.

Lefter Koka u arrestua, pasi nga hetimet e SPAK, rezultoi se kishte përfituar, përmes një skeme korruptive, nga dy kompanitë e inceneratorëve 'Albtek Energy' dhe 'Integrated Technology Service' të drejtuara nga biznesmeni Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, 3.6 mln euro ryshfet.

'Integrated Technology Services' ka në pronësi edhe inceneratorin e Tiranës.

Transaksionet janë kryer drejt disa kompanive fiktive të hapura nga bashkëpunëtorë dhe të afërm të Lefter Kokës, me fatura fiktive për punë të pa kryera.

Kujtojmë që vijojnë të jenë në kërkim policor Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Lefter Koka, në cilësinë e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, inceneratori i Elbasanit, ndërsa Zoto dhe Gugallja akuzohen se kanë pastruar para dhe kanë dhënë ryshfet në drejtim të Lefter Kokës, me qëllim sigurimin e lejes së ndërtimit për inceneratorin, për të gjeneruar më pas fatura fiktive, duke vjedhur rreth 3.6 mln euro.

Pas hetimeve të kryera, SPAK ka zbuluar se shuma prej 3.6 mln eurosh i është dhënë në formë ryshfeti Lefter Kokës.

GJKKO ka lënë ish-ministrin në masën e arrestit me burg, ndërsa Apeli ka refuzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës për një masë të zbutur.

Afera e tre inceneratorëve, të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës në Sharrë, e denoncuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim llogaritet mbi 430 mln euro, ndërsa të përfshirë janë edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë.

Si funksiononte skema
Pasi morën lejen përmes dhënies së ryfshfetit në drejtim të Lefter Kokës sipas SPAK, inceneratori i Elbasanit, në pronësi të kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k, e administruar nga Stela Gugallja bënte fatura fiktive duke i faturuar punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Duke qenë se inceneratorët ishin projekte, të cilat u ndërtuan me fondet e shtetit shqiptar, ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa.

Rrjedhimisht, sipas SPAK, nëpërmjet kësaj skeme, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 3.6 milion euro dëm. Këto para sipas SPAK i kanë kaluar në formë ryshfeti Lefter Kokës.

Pasi janë faturuar në mënyrë fiktive, sipas SPAK, shuma prej 3.6 milionë euro i ka kaluar Lefter Kokës sërish përmes faturave fiktive, tashmë të lëshuara nga dy kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. ndaj kompanive në pronësi të ish-ministrit apo të të afërmve të tij.

Hetimet e SPAK/ Si përfitoi Lefter Koka 3.6 mln euro nga inceneratorët
SPAK zbardhi, pas arrestimit të Lefter Kokës, skemën korruptive të inceneratorit të Elbasanit, sipas të cilit, ish-ministri i Mjedisit në atë kohë, ka përfituar nga dy kompanitë koncensionare, rreth 3.6 mln euro.

Bëhet fjalë për kompanitë, shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, të drejtuara nga biznesmeni Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Në kuadër të veprimeve hetimore SPAK konstaton se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.

Më konkretisht, citohet në njoftim, Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).

SPAK thekson se gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.

“Shtetasja S.G., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k dhe shtetasi K.Z., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Shtetasi L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Bazuar në argumentet e mësipërme, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit S.G. dhe K.Z. kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal”.

Sekuestrimi i pasurisë
Në 14 dhjetor 2021, me urdhër të SPAK janë sekuestruar pasuritë e Lefter Kokës.

Sikurse u sekuestruan edhe dy inceneratorët, ai i Elbasanit dhe Fierit, përkatësisht 'Albtek Energy' dhe 'Integrated Technology Services'.

Më konkretisht, SPAK vendosur sekuestro preventive për pronat e Lefter Kokës si Kantina e Pijeve 'Gjergj Kastrioti Skënderbeu' në Rrashbull Durrës, me vlerë rreth 3.4 milionë dollarë

Login to post comments

Lajmet e fundit

“Rithemelimi” padit kryetarin e Gjykatës së Tiranës

Politikë

“Rithemelimi” padit kryetarin e Gjykatës së Tiranës

  Komisioni i Rithemelimit ka ngritur padi ndaj kryetarit të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, Flamur Kapllanit dhe kancelarit Donald Xhelili. Rithemelimi akuzon zyrtarët për “Shpërdorim detyre”. “Në vijim të qëndrimit të bërë...

Tallja me Alibeajn/ Analistët: Fitoi të drejtën që ia jep Kushtetuta

Politikë

Tallja me Alibeajn/ Analistët: Fitoi të drejtën që ia jep Kushtetuta

  Enkelejd Alibeaj vazhdoi farsën presidenciale një ditë më parë, duke arritur kulmin pasi deklaroi se kishte arritur një marrëveshje. E ashtuquajtura marrëveshje, parashikon që opozita të propozojë kandidatë në raundet humbëse...

Petrit Vasili:17 maji i 2017 e polli sot këlyshin e 18 majit ose incenerator-marreveshjen Balla Alibeaj!

Politikë

Petrit Vasili:17 maji i 2017 e polli sot këlyshin e 18 majit ose incenerator-marreveshjen Balla Alibeaj!

17 maji i 2017 e polli sot këlyshin e 18 majit ose incenerator-marreveshjen Balla Alibeaj! Ne fund te estrades se këlyshit te 18 majit, Rripi i pantallonave te Rames do te...