Nëse do ishe një gazetar i huaj dhe redaksia do të kishte nisur në Tiranë për të kuptuar më shumë mbi raportimet e shumta ndërkombëtare se Shqipëria ka zbritur masivisht në shesh kundër krizës së çmimeve, varfërisë, keqqeverisjes dhe korrupsionit, mbrëmë do e kuptoje qartë se kriza e demokracisë ka prodhuar krizën e rëndë ekonomike.
Në vendin më të varfër në Europë dhe ndër dy-tre më të korruptuarit në planet, qeveria po organizonte një festë masive me shpenzime prej miliona eurosh.
Në kulmin e krizës, qeveria ka vendosur të bëjë aheng.
Kur e vendos në sfondin e protestës masive opozitare, nuk duhet shumë ta kuptosh se ky është një anti-miting.
Një përpjekje për të treguar forcë përballë opozitës, por edhe përballë shqiptarëve.
Njësoj si 32 vite më parë, sërish në korrikun e nxehtë, kur mijëra shqiptarë rrëzuan fillimisht muret e ambasadave në kërkim të lirisë dhe demokracisë.
Sunduesi i fundit komunist, Ramiz Alia do mbante një takim me drejtuesit e lartë të shtetit.
'Tirana ka 25 mijë komunistë me tesera dhe ata nuk u panë askund,' turfullonte ai.
Si kundërpërgjigje u vendos të mbahej një kundër-miting, një tubim ku administrata komuniste të tregonte forcën.
32 vjet më pas, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Një sms e publikuar gjerësisht tregon se administrata u nxorr përdhunshëm në shesh. Ata duhet të zgjidhnin mes punës dhe anti-mitingut.
Por sado e pabesueshme të duket për shqiptarë dhe të huaj, anti-mitingu kundër opozitës ishte veshur me justifikimin e festimit të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me SHBA.
Në sheshin e mbushur me zyrtarët më të lartë të qeverisë më të korruptuar në botë, zbriti edhe ambasadorja amerikane.
Paradoks më të madh anti-demokratik nuk kishte parë vendi.
Pasi Rama tentoi të monopolizonte marrëdhëniet me SHBA, në shesh nisën përqafimet sa me Taulant Ballën e sa me Yuri Kim. Kurse në rrjet zienin krahasimet me Enver Hoxhën dhe pamje të ngjashme nga koha e tij e zezë.
*
Ramiza Alia e nxori administratën në shesh dhe ua caktoi edhe kuadratet e qëndrimit. Vetë nuk doli. Ky ishte fundi i tij.
Rama ua caktoi kuadratet dhe doli edhe vetë. Si për të faktuar studimet se ai ka më shumë pushtet se Ramiz Alia. Ndryshe nga ky i fundit, ai feston vendosjen e monizmit me ambasadoren e SHBA në krah.