Nëpërmjet një videomesazhi në rrjetin social TikTok, Berisha tha se opozita kërkon që të dëgjohet zëri i qytetarëve të cilët po vuajnë pasojat e keqqeverisjes dhe janë shndërruar sot në 'populli i varkave', duke parë si shpëtim të vetëm arratisjen nga vendi.
Kreu i PD tha se qëllimi i protestës është të informojë kancelaritë perëndimore se Edi Rama ata i gënjen, pasi realiteti në Shqipëri është ndryshe nga sa e paraqet propaganda qeveritare dhe t'i njohë ata me skandalet e panumërta të kryeministrit, ministrave dhe çdo institucioni shtetëror.
Shqipëria është një vend i pasur, por shqiptarët janë sot banorët më të varfër. Kjo jo se nuk ka burime, por se burimet e tyre natyrore, pasuritë e tyre, buxheti i tyre vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen nga qeveria.
Edi Rama sot ka të gjithë pushtetet në duar. Kjo jo se ai i meritoi, por sepse ai ka vjedhur votën dhe nuk respekton vullnetin e lirë të qytetarëve. Së fundmi, vjedhjet e Edi Ramës dhe klanit të tij kanë prekur edhe qytetarët tuaj. Me Bitcoin janë vjedhur nga klani qeveritar mbi 2.2 miliardë euro. Të gjitha këto janë vetëm disa elementë të hidhur të realitetit shqiptar", u shpreh Berisha.
Kryetari i PD e mbyll mesazhin e tij në TikTok me një shënim ku i fton protestuesit në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' para Kryeministrisë, zonë të cilën Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme e kanë caktuar perimetër sigurie qëllimisht, për të mos lejuar grumbullimin e protestuesve.