“Qeveria sulmon mediat e lira, ndodhi me Prestige”, Balliu: Balluku ka 85% të buxhetit në dorë, s’mund ta hetojë motra e saj

E mërkurë, 05 Prill 2023 10:10


Shefi i Organizimit në PD Klevis Balliu, i ftuar në studion e emisionit “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 ka folur në lidhje me situatën politike në vend në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit si edhe qeverisjen në përgjithësi.

 

Balliu deklaroi se koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” është një koalicion jo vetëm partiak, por me gjithë qytetarët, punëtorët si edhe mediat të cilat sipas tij po sulmohen nga qeveria sepse nuk i pëlqen vija editoriale, ku më konkretisht përmendi rastin e “Prestige Resort”.

Ai vijoi më tej duke thënë se ministrja e Infrastrukturës dhe njëkohësisht zëvendës-kryeministrja Belinda Balluku sot ka në dorë 85% të buxhetit, para të cilat sipas tij shkojnë po në xhepin e saj.

Balliu shtoi se organet e drejtësisë nuk i hetojnë të tilla veprime, duke përmendur edhe motrën e minsitres Balluku, Pamela Qirko, e cila është kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

 

“Koalicioni ynë po shkon shumë mirë, është jo vetëm koalicion partiak, por është koalicion me qytetarët që sot po u privohen të drejtat. Për interesa personale politike sot qeveria po sulmon median e lirë, si me rastin e “Prestige” vetëm për të mbajtur pushtetin vetëm sepse nuk i pëlqen vija editoriale.

Ka qenë e vështirë që të nxirret plani i plotë i kandidatëve tanë pasi në media të caktuara nuk ka pasur shpërndarje. Ne kemi shpërndarë gjithçka me qytetarët drejtpërdrejtë. Në Kamëz Rakip Suli prezanton programin e tij të vjedhjes duke detyruar administratën e tij të firmosë në këto vjedhje. E kemi denoncuar para dy ditësh, do t’i çojmë pranë organeve të drejtësisë. SPAK vetë është në fushatë, ka kandidatët e vetë. Prandaj arrestoi atë në Bulqizë, që duhet të arrestohej që kur thithte kokainë si fshesë me korrent. Nëse nuk është në fushatë le ta provojë dhe të thërrasë Sulin SPAK.

Qytetarët paguajnë 80 mijë euro në ditë për inceneratorët që nuk ekzistojnë. Mos të flasim për Ballukun që ka 85% të buxhetit të shtetit dhe ato para shkojnë në xhepin e saj. Pse nuk hetohen këto, kush do i hetojë, motra e Ballukut që e ka vendosur vetë?

Sot qytetarët kanë alternativë, në Tiranë kanë Belind Këlliçin që denoncoi inceneratorët. Përballë ka kandidatin e Ndraghetës. Duhet të merremi me çështje serioze, jo me karagjozllëqet e Alibashës. Këta nxjerrin kandidatë për të kapur ndonjë lek, i nxjerr Erion Veliaj.

 

Plarent Ndreca sot shkon me paturpësi dhe u thotë qytetarëve në Astir që të aplikojnë për çerdhe, pse nuk e kanë ndërtuar këta. E kthyen Astirin në geto, kanë bërë vetëm pallate. Kanë interesin e pallateve. Kanë premtuar shkollë para 10 vitesh dhe u thotë fëmijëve që të shkojnë në shkollë në Laprakë duke kaluar në një rrugë vdekjeje.

Te inceneratorët nuk ka asgjë, ka dy lopë dhe dy pemë. Sot kemi apartamente më të shtrenjta se në Bruksel, vendi më i varfër në Evropë. Kjo bëhet që të mbushë xhepat Erion Veliaj. Në çdo shtëpi në Kamëz mungojnë nga 2 fëmijë, këtu ka rënë një kolerë që quhet rilindje.

Sot çdo ditë dikush ose shtypet me makinë ose dikush vritet. Qytetarët janë në rrezik nga bandat që lajnë hesapet e tyre përditë. Pse nuk ka hetime këtu? Kush është dënuar për vjedhjen e uniformave. Qeverisja e Ramës është një enciklopedi krimi.

Opozita e pazarit i la bashkitë. Nuk lanë gjë pa bërë që të mos futej opozita e vërtetë në zgjedhje. Morën logon dhe paguan individë si Alibasha. Nuk ia arritën. Deri në këtë pikë e ka çuar shtetin Edi Rama. Të vetmit që pasurohen janë Rama, Veliaj dhe Rakip Sulat e Shqipërisë”, u shpreh ai.

Modifikuar më E Enjte, 06 Prill 2023 08:44
Login to post comments