Kryetari demokrat, Sali Berisha, doli në një konferencë për të denoncuar atë që e quajti një farsë elektorale.
“Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve.
Janë të panumërta aktet, veprimet, të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj, terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë.
Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa te omega nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner.
Jam këtu gjithashtu për të bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit, të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, pasi është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për të mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë.
Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisionari për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki siç kanë bërë në shumicën e bashkive të vendit.
Shpreh solidaritetin tim me komisionarin Ismail Ismaili dhe të gjithë komisionerët e tjerë që në kushte terrori, po përmbushin detyrimet e tyre,” tha Berisha.