Të gjitha mediat e pushtetit i bënë jehonë projektit të kullës si një ngjarje e madhe.
Historia e ndërtimit në atë zonë të Tiranës ka filluar këtu e 25 vjet më parë, me të famshmen “Gropa e Hajdin Sejdisë”.
Pa shkuar thellë në historinë në fjalë, ajo që ka interes për publikun është si punon makineria propagandistike e Erion Veliajt, i cili kur është në momente të vështira nuk kursen as padronin e tij, Edi Ramën.
Lajmi për ndërtimin e kullës, siç u përmend është i tetorit 2022.
Çfarë ngjau që ky lajm u riaktivizua në 24 orët e fundit me potere të madhe?Lajm një vit i vjetër, pastërma, ç’e shtyu Veliajn, Qorin dhe Lulin të shqyejnë një lajm kaq të vjetër, pikërish tani???
Ku ishin gjithë këto kohë ata?
Halli që i ka zënë i shtyu, kjo është përgjigja.
Prej ditësh Erion Veliaj është në vështirësi dhe në kuotat e tij më të ulëta politike qysh se ka hyrë në jetën politike.
Emri i tij gjendet në dosjet e SPAK-ut si përgjegjës për “ndërtimin” e inceneratorit të Tiranës. Gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë, madje ka shkuar deri aty sa ka pretenduar se as bosët e inveneratorëve nuk i njeh.
Alibitë i kanë rënë. Veliajt i kanë dalë letërkëmbime me Alqi Bllakon që faktojnë dijeninë e tij të plotë dhe interesin e madh që ka patur për inceneratorin, aq sa ka marrë kompetencat e Këshillit Bashkiak monist dhe ka firmosur vetë për t’i hapur rrugë aferës.
Është faktuar që Veliaj i ka dhënë miliona lekë kompanisë së inceneratorëve, të cilët thotë se nuk i njeh, edhe nga Ujësjellës-Kanalizimi i Tiranës.
Veliaj ka bashkëpunuar me kompaninë e inceneratorëve për projektin e tij ‘madhor’ të një milion pemëve.
Ka pranuar rindërtimin e një kopshti e çerdhe nga kjo kompani në Kombinat, ka marrë pjesë edhe në inagurim së bashku me përfaqësues të kompanisë.
Të gjitha këto ndodhi të fundit, ku Veliajt po i ngushtohet laku dhe po ndien kërcitjen e prangave për paudhësitë e veta, e kanë bërë atë të mos kursejë as Ramën, madje të përdorë edhe Bashën kundër tij.
Pse?
Lajmi i kullës është i vjetër. Autori, ose më saktë firmëtari i lejes është Edi Rama, sepse leja është firmosur në mars 2023 nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili drejtohet nga kryeministri. Veliaj e di kush e ka firmosur lejen e ndërtimit, por atij përisht kjo i intereson, të nxjerrë emrin e atij që ka firmosur, Edi Ramës.
Shamatën e 24 orëve të fundit, me ose pa vetëdije, e nisi Lëvizja Bashkë, e kryesuar nga Arlind Qori. Lajmi mori dhenë në mediat e pushtetit, kryesisht ato të sponsorizuarat nga Veliaj, të cilat kërkonin njëzëri prononcimin e Berishës, pasi menjëherë për çështjen në fjalë reagoi edhe Lulzim Basha.
Përfshirja e Lulit në këtë shamatë merr përgjigje vetëm me një pyetje të thjeshtë:
Përse u tërhoq Basha nga gjyqi ndaj Erion Veliajt kur ky i fundit akuzoi për gjobëvënie, pëftimin e vilave dhe rikonstruksionin e shtëpisë ekzistuese pa leje??? Këtu është edhe përgjigja për ata që mendojnë se Lulit i doli frika dhe po flet.
Luli që është kthyer në taksi, të cilin herë e përdor Taulant Balla dhe herë Erion Veliaj, u aktivizua menjëherë nga ky i fundit për t’i vjedhur kauzën Arlind Qorit, pasi pushteti e ka Lulin më nën kontroll se këta të fundit.
Pra, siç shihet, pas gjithë kësaj tam-tame-je për kullën qëndron Erion Veliaj. Një personazh i frikësuar deri në palcë nga burgu dhe të cilin kohët e fundit e ka kapur paranoja se Edi Rama e ka lëshuar dhe nisur drejt burgut ashtu siç ka bërë me shokun e ngushtë të Eronit, Alqi Bllakon.
E gjithë kjo shamatë nxori në shesh tmerrin që ka kapluar Erion Veliajn. I cili kur ndien frikë për vehten e tij i tregon dhëmbët edhe Edi Ramës, madje, në rastin e fundit i tregoi që edhe ai ka fuqi të përdorë median, edhe ai ka fuqi të përdorë Lulin e çdo mjet kundër tij, po qe nevoja.