Kryetari i PD, Sali Berisha edhe mbrëmjen e djeshme mbajti një fjalim nga dritarja e banesës së tij, duke përshëndetuar qytetarët dhe mbështetësit që ndodheshin në rrugicën poshtë pallatit të tij.
FJALA E PLOTË
Miq, demokrate e demokratë, vëllezër dhe motra mirëmbrëma dhe mirëseerdhët!
Së pari, një falenderim nga zemra dhe i përulur për secilin nga ju, sa herë që unë dal në këtë dritare dhe ju shoh ju këtu, ndjej një erë të fuqishme që fryn. Kjo nuk është era stinore e janarit, kjo nuk është era e ftohtë e dimrit, por kjo është era e shpresës, era e fitores, era e të ardhmes për PD dhe shqiptarët.
Kjo pra është era e ndryshimit, e cila buron nga shpirti, zemra, idealet tuaja dhe ka të gjithë fuqinë për të ndryshuar fatet e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Grumbullimi juaj këtu lëshon rrezet e para të dritës që ndriçojnë një Shqipëri, e cila ishte e zhytur në errësirë.
Ju po ringjallni shpresën, ju po ringjallni besimin, prandaj dhe falënderimin tim më të madh për ju demokratë dhe demokrate të mbledhur sot në këtë rrugë.
Miqtë e mi!
Kurrë ndonjëherë në historinë e perëndimit nuk është bërë një luftë kaq e egër kundër një partie si ajo që na është bërë ne si PD.
Kurrë nuk është bërë ndonjë herë një luftë ndaj një partie si kjo që i është bërë PD, e cila ndau historinë, ndau epokat, përmbysi diktaturën më të egër, më staliniste që Europa kishte njohur. Nxori Shqipërinë dhe shqiptarët nga honet më të thella të historisë në dritën e rrugës drejt BE, e anëtarësoi atë në NATO dhe ia doli që shqiptarët, kombi më i varfër i Europës, i treti më i varfër i planetit, të renditet në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
Demokrate e demokratë tëmbledhur në këtë rrugë e kudo që jeni. Në vitet e përpjekjeve të përbashkëta, PD bëri më shumë se të gjithë paraardhësit e saj në 110 vite pavarësi të marrë së bashku. Me gjithë këto, këtë 10-vjeçar, demokratët janë persekutuar, janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë dhe të tretë, janë diskriminuar, janë mohuar, janë luftuar egërsisht si armiq nga Edi Rama, narkoregjimi i tij, mafia ndërkombëtare me në krye monstrën e njerëzimit, Xhorxh Sorosin.
Pse kjo luftë kundër demokratëve? Një përgjigje do merrni kudo: fajin e ka Saliu. Por përgjigjen e vërtetë e di çdo shqiptar. Faji i Sali Berishës është se ndërhyri për të shpëtuar opozitën e Shqipërisë kur ajo u kap peng nga Edi Rama.
Faji i Sali Berishës është se ndërhyri kur të tjerët donin t’i caktonin asaj kryetarin dhe u tha jo, kreu i PD do përcaktohet përjetë vetëm nga shqiptarët, nga demokratët.
Faji i Saliut ishte se denoncoi çdo ditë aferat e shekullit, inceneratorët, sterilizatorët, vjedhjet në Portin e Durrësit, lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe qeveritarët me bandat, me trafikantët e drogës.
Fajin e ka Saliu do u thonë, sepse u përball dhe nuk u mposht dhe nuk do mposhtet kurrë nga armiku i njerëzimit, Xhorxh Soros, arkitekti i shkatërrimit të Shqipërisë për vjedhjen e pasurive të kombit tonë dhe të shpopullimit të Shqipërisë.
Miqtë e mi!
Sot, një eksponent, ish-i dërguari i Xhorxh Sorosit në vitin 1992 në Tiranë, i quajturi Fron Nahzi, të cilin e përzura bashkë me kolegun e tij për 48 orë nga Shqipëria si agjent i rezidentit të Millosheviçit në Tiranë, shprehte gëzim dhe kënaqësi për vënien në arrest të Sali Berishës.
Do i them këtij mjerani, këtij shqiptari në pamje dhe serb në shpirt, se as ti, as Xhorxhi dhe askush në botë nuk do mund të ndalë përpjekjen e Sali Berishës për realizimin e idealeve demokratike.
Buzëqeshjen, gëzimin do ua ngrijmë në fytyrë!
Ja pra pse e burgosin Sali Berishën pa asnjë provë, pa asnjë fakt, si në Rusinë e Putinit, ja pse duan t’i mohojnë lirinë e të shprehurit sikur të ishte ky një vend i dikurshëm, ku vepronte ligji i agjitacionit dhe propagandës, sikur të ishte koha kur Kristaq Rama, intelektuali xhelat, por dhe zëvendësi i Ramiz Alisë, firmoste varjen në litar të poetit disident Havzi Nela vetëm për fjalën e lirë.
Por ne nuk mposhtemi. Misioni ynë për shpëtimin e Shqipërisë është i shenjtë.
Amaneti i të parëve tanë mishërohet tani tek ne në këtë betejë që zhvillojmë. Në këtë betejë për liri dhe dinjitet, mishërohet shpirti i pamposhtur, guximi legjendar i Gjergj Kastriotit, mishërohet guximi legjendar i Ismail Qemalit, Adem Jasharit, Azem Hajdarit, sepse armiqtë që kanosin sot Shqipërinë janë armiq po aq të egër si ata që po luftojmë ne sot, të cilët nuk janë gjë tjetër veçse demonë të pushtetit të tyre.
Ne nuk mposhtemi dhe dëshmia për këtë jeni ju!
Jeni ju me erën e ndryshimit. Së pari, kësaj rruge ia ndryshuat emrin.
Të rinjtë e quanin këtë Rruga e Salës. Vinin këtu e shijonin kafe dhe shërbime shumë të mira nga bizneset këtu përreth. Por ka disa ditë që kjo nuk quhet më Rruga e Salës, por rruga e Shpresës për çdo shqiptar. E shpresës sepse çdo shqiptar sheh te ne që qëndrojmë, që luftojmë, e kupton se ne jemi shpresa e vetme për ta.
Çdo shqiptar e kupton sot se është i tradhtuar. Qeveria ka tradhtuar shqiptarët. Për pushtetin e tij absolut, Edi Rama iu shkatërroi pluralizmin, iu shkatërroi demokracinë. Drejtësia ka tradhtuar shqiptarët, ajo amniston Edi Ramën, Erion Veliajn që me firmat e tyre kanë vjedhur qindra e qindra milionë euro dhe në vend të tyre burgos padrejtësisht, paturpësisht liderin e opozitës. Ky është një turp i madh.
Burgos anëtarin e Këshillit Kombëtar, Jamarbër Malltezi që ka marrë 110 metër katrorë tokë të familjes së tij, kurse Edi Hajduti, në shkelje të plotë të ligjeve, i ka plaçkitur kësaj familje me 4 firma në 4 vendime qeverie, 1500 metra tokë të lënë për shkollë të lënë për fëmijët e lagjes ku banojnë.
Vetëm ne pra jemi shpresa për Shqipërinë, prandaj luftohemi.
Por ka edhe një arsye tjetër miq të dashur pse na luftojnë kaq shumë. Kjo është arsye është frika. Ata kanë frikë, u keni kallur datën. Nuk ka gjë më të frikshme për një regjim se njerëzit e lirë, se njerëzit guximtarë, se njerëzit qëndrestarë. Dhe kanë arsye të forta për të na pasur frikë.
Ishte planifikuar shkatërrimi total i opozitës në zgjedhjet e 14 majit. U konfiskua vula e PD. Ia rrëmbyen vulën Sali Berishës që ishte faktuar lider i opozitës dhe ia dhanë Lulzim Bravës. Kishim zero buxhet, nuk kishim komisionerë.
Nga ana tjetër Edi Rama shpërndante në shkelje të plotë të ligjeve, zarfat 50 mijë lekëshe te 638 mijë pensionistë. U ndryshoi qendrat e votimit mbi 1.3 milionë votuesve. Nxorri nga burgjet dhe solli nga jashtë vendit vrasës serialë, përdhunues, trafikantë për të terrorizuar votuesit.
Të gjitha këto kishin planifikuar që opozita të dilte nga zgjedhjet me dhjetëra mijëra vota. Por opozita nuk mori dhjetëra mijëra vota, nuk mori 100 mijë, as 200 mijë, as 300 apo 400 mijë. Opozita e vërtetë shqiptare mori 600 mijë vota dhe të sigurt të jeni ju se nëse do ishte lejuar emri i Sali Berishës në fletët e votimit, nëse do kishim logon PD, në tërësi bashkitë e Shqipërisë do ishin blu dhe Shqipëria sot do ishte blu.
Edi Rama na ka frikë, sepse e njëjta histori u përsërit këtë në natën e ndërrimit të viteve. Kësaj herë në botën digjitale. Natën e vitit të ri ai vrapoi të rendë me inteligjencën artificiale, me daljen në programe televizive me patronazhistë dhe aktivistë, ndërsa Sali Berisha me një status në fejsbuk dhe mbështetjen tuaj, e mundi Edi Ramën në rrjetet sociale sipas raportit të publikuar në media së fundmi. Do e mundim sapo të përballemi me të. Është i pashpresë, i përket Lanës së historisë.
Miqtë e mi, është e pamohueshme. Liria nuk burgoset dot, po e bërë këtë, liria vetëm sa shumëfishohet.
E vërteta nuk heshtet dot. Po e bëre këtë, e vërteta ulëret shumë më tepër, shumë më fort. Prandaj dhe fitorja jonë nuk shmanget dot kurrë. E gjitha kjo luftë që i bëjnë PD i ka shërbyer kësaj partie, sepse kjo luftë e ka shndërruar flamurin tonë, flamurin e PD në një flamur simbol të lirisë, në flamur të pluralizmit, në simbol të demokracisë, në simbolin e shpresës. Ky flamur nuk mposhtet kurrë!
Unë sot e kam varur këtë flamur në dritare. Ju ftoj të gjithve ju, ftoj të gjithë shqiptarët që të varin në dritare këtë flamur si flamur shprese, si flamur guximi, si flamur fitoreje për shqiptarët.
Ata nuk kanë flamuj, ata janë njerëz me 100 flamuj. Ata edhe ata flamuj ku i kanë i nxjerrin në vilat e tyre të fshehta të ndërtuara me para krimi dhe nuk i shfaqin. Flamuri ynë qëndron krenar për jetë të jetëve krahas flamurit kombëtar.
Miqtë e mi!
Në botë në botë, në planet nuk ka flamur më të bukur se flamuri kombëtar, por en që jetuam në diktaturë e pamë atë me yllin terrorist në ballë ai ngjiste si simboli i një shkretëtire, si simbol i një kombi të përçmuar, si simboli i një kombi të shtypur dhe vetëm kur ky flamur u bashkua me flamurin e PD ngjiti në nivelin e kohës së Skënderbeut, ngjiti nivelet e larta ku meriton.
Ndaj edhe, ftoj shqiptarët, kudo që janë, me dy gishta lart, të ngrenë lart e më lart flamurin kombëtar dhe flamurin e PD, të pluralizmit politik.
Duke përfunduar edhe njëherë, ju falënderoj me shumë mirënjohje dhe ju garantoj se ky dimër do të shkrijë të gjithë akujt. Kjo lëvizje në këtë dimër do të shkrijë të gjithë akujt. Do ecë e sigurt në fitoren e PD, fitoren e Shqipërisë.
Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!