Mbi 20 mediume në gjuhën maqedonase, me një influencë të ndjeshme në opinionin publik atje i kanë pasqyruar gjerësisht të gjitha qëndrimet e Metës për zgjedhjet dhe rezultatin.
Agjensia shtetërore e lajmeve MIA që ka publikuar gjerësisht mesazhet e Metës, nënvizon faktin se Presidenti i Partisë së Lirisë ka qenë i bindur për fitoren e dyfishtë të VMRO-DPMNE-së në zgjedhje dhe kjo rezultoi e vërtetë.
“Ish-presidenti shqiptar dhe lideri aktual i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përshëndeti rezultatin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se “ka qenë gjithmonë simpatizant i VMRO DPMNE-së”, - nënvizon agjencia shtetërore e lajmeve MIA.
Portali “Republika” ka theksuar në veçanti mesazhin e urimit të Metës drejtuar Presidentes së zgjedhur Gordana Siljanovska-Dakova dhe bindjen e tij se “Presidentja e re do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera fqinjësore mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe në përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike në Maqedoni.".
Ndërkoha media “MakPress” e cilëson si tëpër të rëndësishëm mbështetjen e Metës për VMRO, duke nënvizuar faktin se Partia e Lirisë në Shqipëri është një nga tre partitë më të mëdha në vend.
Ndërsa “Vjesti” nënvizon ndër të tjera se Presidenti i Partisë së Lirisë nuk e ka fshehur simpatinë e tij për VMRO dhe se me fitoren e Presidentes Siljanovska-Davkova marrëdhëniet mes dy shteteve do të njohin një impuls të ri në forcimin e mëtejshëm të tyre.
Presidenti Meta e ka shprehur gjithmonë pozicionin e tij simpatizues për VMRO për faktin se kjo parti ka qenë hapur kundër “Ballkanit të Hapur” dhe se në të kaluarën i ka dhënë një zhvillim të jashtëzakonshëm Maqedonisë së Veriut duke e renditur të 5-të në Europë për klimën e biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja, një model që sipas tij duhet të ndiqet edhe në Shqipëri.