Avokati Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua nga 4 persona ditën e martë në zonën e Ish-bllokut vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.
Ai është në monitorim intensiv nga stafi mjekësor në reanimacion të Spitalit të Traumës, ku i bëhen ekzaminime herë pas here për të parë gjendjen e tij.
Sipas burimeve nga Spitali i Traumës, do të pritet deri të hënën dhe nëse gjendja do të jetë e njëjtë siç po vijon dhe nuk do ketë përkeqësim, do të tentohet zgjimi për ta nxjerrë nga intubimi.
Avokati u dhunua mëngjesin e 29 majit sapo la djalin në kopsht në zonën e ish-bllokut. Dorian Alia 32-vjeç i cili u vetëdorëzua, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano. I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45 vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.