Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur te protesta kombëtare e thirrur nga opozita në 11 korrik ora 20:00 përpara Kryeministrisë.
‘11 korriku është dita e betimit të madh të shqiptarëve për t’u ndarë nga e keqja më shkatërrimtare në histori’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohje të pakufishme ndaj jush misionaret dhe misionarët e kauzës së drejtë të çdo shqiptari.
E kauzës së lirive dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
E kauzës të interesit kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Miqtë e mi, 48 orë na ndajnë nga momenti i madhërishëm i popullit opozitar.
11 korriku, ditë në të cilën shqiptarët do të bashkohen si kurrë më parë në sheshin dhe rrugët e Tiranës.
Ditë në të cilën shqiptarët do t’i provojnë vetes dhe njëri-tjetrit se ata janë të gatshëm, janë të vendosur.
Se ata do betohen më 11 korrik për fitoren.
Se ata do betohen për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë.
Do betohen për krijimin e qeverisë teknike.
Do betohen se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
Do betohen se jetën e japin, por votën nuk e falin.
11 korriku është pra dita e betimit të madh të shqiptarëve.
E betimit të tyre për t’u ndarë nga e keqja më shkatërrimtare e kombit shqiptar në tërë historinë.
Një e keqe, e cila në 8 vite largoi nga ky vend rreth 40 përqind të kombit shqiptar.
Një e keqe në të cilën shqiptarët u varfëruan më shpejt, më papritmas, më befasishëm se kurrë ndonjëherë në jetën e tyre.
Komunizmi ishte tirania e mjerimit, por iu deshën dekada që të triumfonte mbi shpirtin punëtor të shqiptarëve.
Kurse narkoshteti i Edi Ramës arriti brenda 8 viteve, 10 viteve të zhysë në uri, në një apo dy vakte ushqim në ditë, mbi 18 përqind të fëmijëve shqiptarë.
Narkoshteti i pamëshirë i Edi Ramës ia doli që të zhysë me shpejtësi në uri 47 përqind të fëmijëve shqiptarë.
Ky narkoshtet barbar dhe i pamëshirë ndaj qenies së shqiptarëve, zbrazi dhe boshatisi Shqipërinë në 8 vite sa asnjë pushtim tjetër në historinë e saj.