Ish-kryeprokurori amerikan gjatë mandatit të parë të Donald Trump, foli ekskluzivisht për Çim Peka LIVE.
Matthew Whitaker tha se atentati ndaj Trump ka ngritur shumë pikëpyetje.
“Mendoj që kjo është pikëpyetja kryesore që kërkon përgjigje. Dje kam qenë me presidentin Trump dhe është shumë e qartë se ai ende po e mendon këtë gjë.
Natyrisht kam qenë edhe me senatorët amerikanë që kanë pasur raportime nga shërbimet sekrete dhe FBI dhe ishin tërësisht të pakënaqur.
Duhet të presim rezultatet e hetimit nga FBI dhe më pas kongresi do ngrejë pyetje të vështira,” tha ai.
Duke folur nga Konventa Republikane, ai tha se fjalimi i tij sot do ketë mesazhe përbashkimi.
“Kur e pashë zotin Trump, mu duk më i qetë. Besimi i tij te Zoti mendoj se është forcuar në mënyrë dramatike siç mund të presësh për dikë që mund t’i ndodhë diçka e tillë.
Fjala e tij e pranimit në konventë, do të shihni që do jetë një mesazh përbashkimi dhe që garanton se SHBA të jenë të forta dhe të begata, në mënyrë që edhe pjesa tjetër e botës të jetë e fortë dhe e begatë”.
Ai kritikoi përpjekjet ligjore kundër ish-presidentit Trump.
“Kam qenë një kritik i zëshëm i përpjekjeve ligjore kundër presidentit Trump. Qoftë përpjekja për ta nxjerrë nga votimi, duke përdoruar amendamentin e 14-të, edhe pse Gjykata Supreme me një vendim unanim tha jo, apo edhe lufta juridike ndaj tij në gjykatat e vendit,” tha ai, duke shtuar se për këtë vendosin votuesit dhe jo gjykatat dhe prokurorët.