Kujt i intereson të mbajë një regjim të korruptuar në Shqipëri

Saturday, 03 August 2024 16:01
 
Nga Agim Nesho:
 

Regjimi i korruptuar i Edi Ramës tani po projekton mbajtjen e pushtetit në pafundësi. Retorika e tij në Kongresin e PS se “kush na ndalon të mbajmë pushtetin edhe 100 vjet”, tregon se nuk ka frikë nga asgjë.

Rama, jo vetëm nuk ka frikë të përdorë propagandën dhe demagogjinë e një ‘vendi demokratik’ por, hapur ndërton projekte 10-20-vjeçare sikur të ishte një princ nga vendet arabe.

Ai ka kohë që ka mbaruar punë me shtetin ligjor në Shqipëri, bashkëpunon hapur me krimin e organizuar, ka kapur shtetin dhe institucionet e drejtësisë, arreston dhe mban nën presion liderët e opozitës edhe pa akuzë, ndryshon qeverinë duke luajtur dhe manipuluar me delet që i vinë nga pas sikur të ishte Kadafi, për të treguar që ai është i vetëm dhe të tjerët thjesht numra.

Por çfarë shikojnë në regjimin e Edi Ramës partnerët tanë ndërkombëtarë për ta lënë Shqipërinë në një rrugë pa krye dhe të degjenerojë sistemi demokratik në një gjysëm diktaturë putineske? Nevoja për stabilitet në rajon nuk e justifikon krijimin e një autokracie që po e largon Shqipërinë çdo ditë e më tepër nga rruga perëndimore.

Strategjia e Brukselit për të ruajtur interesat gjeopolitike të Europës bie ndesh me krijimin e regjimeve autokrate, mafioze në Ballkanin Perëndimor. Çfarë cilësish shikojnë te Edi Rama për ta besuar dhe për ta patur partner?

Si personalitet politik, Edi Rama përfaqëson një aventurier makiavelist, pa vizion, i cili po e transformon Shqipërinë në një tokë të djerrë, ku më shumë se 1 milion shqiptarë janë larguar pa shpresë dhe perspektivë. Ai nuk ka pasur vizionin për thithjen e investimeve të huaja, të hapjes së vendeve të reja të punës për shqiptarët, të rrisë nivelin e jetesës, të fusë teknologji të reja, por e ka kthyer Shqipërinë në një plaçkë tregu ku shiten prona dhe tenderohen pasuritë publike. I vetmi vizion i tij është mbajtja e samiteve ndërkombëtare, në të cilat shpërndan filma me publicitet për veten e tij, si ka ndërtuar kulla, dhe në mbyllje t’ju japë nga një pjatë me pikturat e tij magjike.

Por Edi Rama ka edhe cilësi të veçanta, të cilat duhet t’ia njohim. Ai është një mikromenaxhues i pushtetit par-excellence, intrigant dhe i frikshëm. Ai ka ngritur mbretërinë e tij të bazuar në një propagandë të shfrenuar, në televizione që i shërbejnë dhe retorikë të shkëlqyer. Ai u tregua mjeshtër në ngritjen e një projekti politik për kanabizimin e Shqipërinë për tu forcuar financiarisht dhe kthyer vendin në një platformë për shpërndarjen e drogës duke i detyruar ambasadorët ta duartrokasin për ‘luftën kundër krimit’. Ktheu vendin në një lavatriçe të pastrimit të parave të krimit të organizuar dhe partnerët ndërkombëtarë duartrokisnin për zbukurimin e Tiranës; keqpërdor administratën publike, vjedh dhe intimidon zgjedhjet e lira dhe partnerët entuziazmohen se ai është i gatshëm të merrte afganët në Shqipëri, etj.

Po a njihet realiteti në Shqipëri dhe pse tolerohet kjo pseudo-demokraci?

Realiteti Shqiptar sigurisht që njihet. Raportet e Departamentit të Shtetit, Doing Business, të Freedom House, Transparency International, etj., tregojnë hapur gjendjen reale në Shqipëri. Megjithatë ai tolerohet. Pse?

Së pari, ai është një figurë kameleoni që shërben dhe vetë-ofrohet për çdo gjë që perëndimi ka nevojë dhe pa konsultuar asnjë institucion të brendshëm: pranimi i armëve kimike siriane, marrja e afganëve, marrëveshja me kryeministrat Sunak (MB) dhe Meloni (Itali) tregojnë karakterin servil të regjimit. Partnerët shpesh harrojnë vlerat dhe parimet dhe kënaqen me pragmatizmin sharlatan te tij.

Së dyti, regjimi i Ramës blen influencë duke përpunuar diplomatë, burokratë që shërbejnë në përpunimin e informacioneve dhe bërjen e raporteve. Rasti McGonigal është rasti më klasik i blerjes së influencës, por jo i vetëm. Një grupim këshilltarësh të lartë ish-kryeministra, si T. Blair, D’Alemma, i shërbejnë për tu pasuruar nga regjimi. Blerja e influencës është strategjia më e fortë e autokratit Rama si dhe propaganda me shkrimet e sponsorizuara në shtypin botëror.

Së treti, Rama ka pranuar të jetë pjesë e projekteve për ndryshim gjeopolitik të Ballkanit, projekte që favorizojnë politikat nacionaliste të Beogradit në dëm të Kosovës. Për ata që kërkojnë zgjidhje kompromisi në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve ai është ‘aleati’ më perfekt.

Së katërti, blerja e influencës me anën e dhënies së koncesioneve me pronat e Shqipërisë. Dhënia e koncesioneve për zhvillimin e turizmit bëhet në funksion të pushtetit të tij personal. Kjo e ka bërë atë të jetë ‘i patolerueshëm’, sidomos për Bashkinë e Himarës ku kanë mbetur akoma gjire të bukur si Gjipe, Porto Palermo, për të blerë influencë.

Lind pyetja: Po kush dhe pse e përkrahin një regjim të tillë si ai i Ramës?

Së pari, bota sot është në një luftë të vazhdueshme për ndryshimin e rendit ndërkombëtar botëror të bazuar në institucione dhe vlera me një sistem multi-polar të bazuar në forcë dhe zona influence. Sulmi i Rusisë në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme, kërcënimi i Kinës për Tajvanin dhe kontrollin e Detit të Kinës Jugore kanë hequr vëmendjen nga zhvillimet demokratike kudo, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Së dyti, angazhimi i Ramës në projekte transformuese në Ballkanin Perëndimor dhe përkrahja për ndryshimin e kufijve në këtë rajon e bën atë një figurë kompromisi për Rusinë, Serbinë, Turqinë, Kinën, të cilat çdo lëvizje që destabilizon Ballkanin është një prioritet për rritjen e zonave të tyre të influencës në rajon. Rusia për të prishur sistemin e sigurisë ballkanike dhe kthyer Ballkanin Perëndimor në një rajon asnjanës. Kina për të krijuar një aks të qëndrueshëm në Ballkan, duke fuqizuar Serbinë dhe politikat e saj të paangazhuara. Turqia që pret një ndryshim gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor për të shtrirë influencat e saj në Bosnjën me shumicë myslimane, Kosovë, Shqipëri dhe pse jo në Maqedoninë e Veriut për të krijuar hapësirat e Perandorisë neo-otomane. Franca për të rritur influencat e saj në Ballkan me politika preferenciale dhe për të dobësuar influencat e Britanisë dhe Gjermanisë.

Së treti, projektet e fondacionit Soros që kërkojnë një stabilitet ballkanik duke i dhënë diçka Serbisë. Projektet e Soros shtyjnë në evidentimin e dy aktorëve kryesore ballkanikë si Rama dhe Vucic për të arritur stabilitetin në rajon midis serbëve dhe shqiptarëve duke sakrifikuar diçka nga Kosova dhe kënaqur ambiciet e nacionalistëve serbë. Interesat kombëtare të SHBA lidhen me përkrahjen dhe bashkëpunimin me faktorin shqiptar në Ballkan si kundërpeshë e influencave ruse, kineze por duket se Fondacioni Soros ka imponuar një politikë të tillë në administratën amerikane.

Gjermania është një vend i rëndësishëm i BE, i cili ka interesa në Ballkanin Perëndimor dhe është kundër rritjes së influencave të tjera në rajon, influencohet për zgjidhje kompromisi për interesa strategjike siç është çështja e litiumit. Projektet e Serbisë për të rritur influencat e saj në BP tashmë kanë filluar. Destabilizimi i Malit të Zi dhe vendosja e një regjimi pro-rus në Podgoricë si dhe institucionalizmi i ‘hapësirave serbe’ në gjithë territorin e Ballkanit Perëndimor e bëjnë rajonin shumë vulnerabël dhe arenë të përplasjes së gjithë fuqive të mëdha.

Por si mund të dilet nga kjo situatë e rrezikshme që vë në dyshim të ardhmen e kombit Shqiptar, dhe sovranitetin e Kosovës?

Mendoj që ka vetëm një lëvizje politike që relativizon pushtetin jo real të sponsorizuar të Ramës:- Një bashkim i gjithë forcave patriotike në gjithë hapësirat shqipfolëse të Ballkanit për ti treguar faktorit ndërkombëtar se ai nuk përfaqëson shqiptarët dhe interesat e tyre. Fuqia politike e kësaj Lidhje Prizreni të shekullit 21 do të ndërgjegjësojë faktorin ndërkombëtar për balancat reale në rajon. Pjesën tjetër e bën populli dhe opozita Shqiptare.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...