Deputetja e Patrisë Demokratike, Jorida Tabaku ka analizuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me korrupsionin në Shqipëri.
Me anë të një postimi në rrjetin social “facebook” ajo ka thënë se korrupsion i madh vjen nga tenderat.
Vetëm në vitin 2017 mësohet se janë bërë 8675 tendera, ose thënë 23 tendera çdo ditë të vitit.
Postimi i plotë
Përgjithësisht u zë më shumë besë shifrave dhe jo fjalëve, pasi jo rrallë këto të fundit përpiqen të mbulojnë shifrat. Po paraqes disa prej shifrave nga tepsia e tenderave që qeveria ka shpërndarë për miqtë e saj. Shifra të cilat i ka parasysh edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit mbi korrupsionin në gjithë sektorët e qeverisë Shqiptare.
Për vitin 2017 janë shpallur 8675 tendera me një vlerë totale prej 925 miliard lekësh (694 mln euro) që është një vlerë e barabartë me 31% të vlerës totale të tenderave në katër vjet.
Nga totali i tepsisë së parave publike të keqpërdorura nga qeveria Rama llogaritet se 30% e tenderave apo 85.5 miliardë lekë (65.5 milion euro) janë shpërndarë pa pasur një garë sikundër ligji e kërkon.
Nga tepsia e tenderave, qeveria u ka dhënë oligarkëve 540 tendera që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 50.5 miliardë lekë (37.8 milion euro).
Rreth 30% e pjesëmarrësve në garat e tenderave kanë qenë të vetëm, duke dëshmuar paracaktimin e fituesit apo kushte të vështira për të përjashtuar palë të treta.
Në 1281 ose 26% të procedurave të prokurimit është kualifikuar si fituese oferta më e lartë por nëse do të zbatohej ligji dhe do të fitonte oferta më e ulët, do te kurseheshin 55.2 miliardë lekë (41.4 milion euro) ose 6% e vlerës total të prokuruar për vitin 2017.
55.2 miliardë lekë (41.4 milion euro) është fondi i nevojshëm për mirëmbajtjen e të gjithë rrugëve në Shqipëri, por qeveria vendos që të shpërdorojë paratë publike për oligarkët e të lërë “rrugët rrugëve”.
Prokurimet publike janë dëshmi e qartë e dështimit të turpshëm dhe vjedhjes së hapur që një qeveri e korruptuar ka prodhuar nga shtatori i vitit 2013 e deri më sot.