Nga Roland Bejko
Kryeministri Edi Rama zhvilloi për dy ditë me radhë një tur të quajtur dëgjesash dhe llogaridhënie para qytetarëve të Qarkut Gjirokastër.
Por, me aq sa pamë dhe dëgjuam asgjë e re nuk mbeti në kujtesën e njerëzve këtu pas largimit të tij dhe shpurrës së madhe qeveritare që e shoqëronte, përveç batutave dhe premtimeve të vjetra të bëra në të gjitha ardhjet e tij elektorale.
Vizita e Ramës ishte një dështim spektakular, ishte bosh, pa përmbajtje,pa ide, pa vizion për zhvillimin ekonomik të zonës, pa mesazhe të reja dhe të rëndësishme për qytetarët dhe grupet e interesit për të sotmen dhe të ardhmen e tyre, ishte e zymtë dhe e vrazhdë si vet gjuha e tij që përdori gjatë gjithë kohës ndaj qytetarëve në të ashtuquajturën llogaridhënie.
Gjirokastra dhe banorët e saj të kulturuar nuk e meritonin një trajtim të tille si ata socialistët që u gjendën në sallën e të ashtuquajturës Dëgjesë dhe Llogaridhënie, ashtu dhe ata që e ndoqën spektaklin e shëmtuar nga ekranet e televizioneve.
Së pari ajo nuk ishte dëgjesë, sepse Edi Rama nuk kishte durim ti dëgjonte deri në fund hallet dhe shqetësimet e qytetarëve. Etika e tij e komunikimit ishte poshtë nivelit të një njeriu të zakonshëm.
Kryeministri nuk ishte në gjendje tu jepte pergjigje pyetjeve dhe shqetësimeve personale apo dhe të komunitetit qytetarëve që i ngritën ato me kurajo para arrogancës dhe brutalitetit të tij edhe pse ishin të para instruktuar nga stafi i Kryeministrit për ato që do thoshin
Për çdo problem dhe shqetësim të qytetarëve Edi Rama ju tregonte atyre censin magjik të zgjidhjes, adresën elektronike „shqiperiaqëduam.al“
I vetmi investim me njëfarë interesi strategjik që do ti shërbente zhvillimit të turizmit dhe qarkullimit të shpejtë të njerëzve e mallrave ishte premtimi që Edi Rama bëri për rifillimin e punimeve për përfundimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, e ndërtuar në gjysmën e segmentit të saj nga Qeveria Berisha në vitin 2008, por që gjatë 5 viteve në pushtet të Rilindjes, jo vetëm që nuk u shtrua më asnjë metër asfalt, por as nuk u mirëmbajt edhe ajo që ishte ndërtuar nga paraardhësit e tij. Mos të harrojmë se ndërtimi i këtij segmenti ka qenë premtim elektoral i Edi Ramës sa herë që ka ardhur në Gjirokastër që nga 2013 e këtij.
Edi Rama u mbur për rritjen e hotelerisë në Gjirokastër, por kjo është meritë iniciativës personale të qytetarëve dhe jo e Qeverisë së tij.
U mbur për investimet për restaurimet e banesave në Qafën e Pazarit, por edhe këto janë investime të Fondit Amerikan të Zhvillimit, dhe jo të buxhetit qeveritar. Vetëm 4 milion lekë te vjetra janë dhenë nga qeveria për monumentet e kulturës në Gjirokastër.
U mburr për rilindjen urbane në Libohove, Tepelene e Përmet, dhe tha që fale shtrimit me gurre e beton të shesheve, sot te Tërmeti ne Tepelene ka më shumë turistë suedezë, por ne mendojmë se shpenzimi i kaq shumë parave për fasada nuk është çelësi i zgjidhjes së problemeve të mëdha ekonomike që ka zona jonë e varfër. Shumë mirë që u lyen me bojë fasadat e pallateve në Gjirokastër, por pallatet sot gjatë qeverisjes së Ramës janë bosh, dhe po boshatisen përditë e më shumë. Qytetarët po ikin. Janë mbi 10 mijë banorë që janë larguar.
Kryeministri ose nuk i njeh problemet e zonës ose i bëri bisht ballafaqimit me to me dashje.
Është papërgjegjshmëri që të thuash se braktisja masive e Gjirokastrës nga banorët e saj që po ikin nga sytë këmbët nëpër botë në kërkim të një jete me të mirë behet për shkak se ajo është zone kufitare me Greqinë.
Jo z. Kryeministër, zonë kufitare ka qenë Gjirokastra edhe para se ti të vije në pushtet, u hoqën edhe vizat, por jo vetëm që banorët e kësaj zone nuk u larguan, por të shumtë ishin ata që u kthyen nga Greqia dhe hapën biznese në vendlindje kur Greqia dhe vendet e tjera u mbërthyen nga kriza financiare.
Është arrogancë të thuash se popullsia po plaket se iken rinia pasi është dembele! Jo zoti Kryeministër, Rinia nuk është dembele sepse aty ku po shkon, punon edhe me orar të zgjatur po deshe. Por rinia ikën prej vendit të vet sepse ty të mungojnë politikat ekonomike të zhvillimit.
Ju kërkoi fshatarëve të punojnë tokën, por ty të mungojnë politikat e subvencionimit. Nuk ka më financime për arrorët që qeveria Berisha i jepte me shumice dhe që sot fshatarët e zonave përreth po ju shikojnë hajrin këtyre investimeve me lajdhi, shegë, vreshta, arra etj.
Fermerët po ikin nga shtëpitë e tyre sepse në vend të subvencioneve për bujqësinë e blegtorinë Kryeministri ju çoi "të Fortët“ për ti mbjellë tokat e tyre me drogë, duke u marrë së bashku me policinë e krimit, edhe ato pak kursime që kishin.
Asnjë fjalë nuk tha Kryeministri për shërbimin shëndetësor që është shkatërruar fare në Gjirokastër, për spitalin rajonal po shkon drejt mbylljes, për Universitetin që ka fare pak studentë, për Aeroportin nuk dha asnjë shpresë, për emergjencat civile ja kaloi fajin Bashkisë ku dhe fondin për studimin e zonës së rrëshqitjes që e akordoi këshilli bashkiak gënjeu duke thënë se e dha qeveria e tij.
Nuk tha asnjë fjalë për mungesën e qendrave shëndetësore në fshatra, mungesën e rrugëve, kanalizimeve, shërbimeve etj.
Nuk na tha çfarë politikash ekonomike ka qeveria e tij për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në Lazarat, Cepo, Picar, Lunxhëri, Andon Poçi. Asnjë fjalë për monumentet e kulturës që janë shembur dhe po shemben, asnjë fjalë për urat e rrezuara dhe për ato që po rrëzohen, dhe ishte i paqartë se çfarë do të bëhet me investimet për përballimin e situatave të emergjencës në zonat me rrezik të lartë si në qytetin e Gjirokastrës dhe në fshatrat përreth.
Ajo që kuptuam të gjithë pas kësaj vizite të Ramës në Gjirokastër është se gjendja do vazhdojë të jetë e zymtë dhe e pashpresë nën qeverisjen e tij. Varfëria do thellohet edhe me shume, taksat do jenë edhe më të larta, bizneset do mbyllen edhe më shume, dhe më shumë akoma do vazhdojnë qe njerëzit të largohen nga sytë këmbët sikur të ishte gjendje lufte.
Ndaj, PD ofron ketë zgjidhje:
Në vend që të ikim të gjithë, le të bashkohemi dhe të gjithë së bashku ta rrëzojmë nga pushteti këtë Kryeministër dhe ministrat e tij, që tashme nuk janë thjesht të kapur nga Krimi, por janë bashkëpunëtorë dhe drejtues të krimit të organizuar.