Katy Perry është shtatzëne për herë të parë dhe e bëri publik lajmin në mënyrën më të bukur të mundshme, me anë të videoklipit të saj të ri.
Le të themi që videoklipi i këngës “Never Worn White” u eklipsua totalisht nga lajmi se ajo dhe Orlando Bloom do të bëhen prindër për herë të parë por mesa duket ky ka qenë qëllimi i artistes, e cila e ka zgjedhur vetë që ta lajmërojë kështu pritjen e ëmbël. Por si arriti këngëtarja ta mbajë sekret për një kohë kaq të gjatë shtatzëninë, edhe pse siç thotë vetë ajo ndiqet kudo nga paparacët. Taktika numër 1 që ka përdorur: Siç i themi ne në përditshmëri, ka futur barkun brenda sa herë ka pasur dalje publike. Kjo gjë duket se nuk e ka bërë të ndihet aspak mirë gjithsesi. Taktika numër 2, kohët e fundit në çdo event që shkonte mbante një çantë relativish të madhe përpara barkut.
Megjithatë këngëtarja tha se në një pikë u bë qesharake që i duhet ta fshihte shtatzëninë, edhe pse deri më tani është sekreti më i gjatë që ka mbajtur. Kështu vendosi që mënyra më e mirë për ta bërë publike ishte me anë të muzikës.
Ndërkohë së fundmi është raportuar se Katy dhe Orlando e kanë shtyrë ceremoninë e dasmës që e planifikonin prej disa kohësh, por jo për shkak të shtatzënisë por për shkak të frikës nga koronavirusi.