Autoritetet belge kanë ndaluar 13 persona pas një hetimi mbi pretendimet për fiksim duelesh në nivelet e ulëta profesioniste të sportit të tenisit.
Sipas prokurorëve një rrjet belgo-armen ka ofruar ryshfete për tenistët që prej vitit 2014, me kriminelët që kanë përfituar shuma të majme përmes basteve mbi duele të trukuara.
Ky hetim filloi pas një raporti të muajit prill, që akuzon për korrupsion masiv në tenis.
Ishte një panel i pavarur hetimor ai i cili investigoi integritetin e profesionistëve të tenisit pasi iu bashkuan një hetimi të përbashkët të “Buzzfeed” dhe “BBC News”, që zbuloi bastvënie të dyshuara të paligjshme.
Policia belge tregoi se kanë bashkëpunuar me homologë bullgarë, holandezë, francezë, gjermanë, sllovakë dhe amerikanë, duke zhvilluar bastisje të njëkohshme gjatë së martës.
21 prona në Belgjikë u bastisën, ndërsa 13 persona u ndaluan me dyshimet për trukim ndeshjesh, korrupsion, pastrim parash dhe pjesëmarrje në aktivitete të krimit të organizuar.
Gazeta belge “Le Soir” raportoi se sfidat në fjalë kanë ndodhur gjatë kompeticioneve “International Tennis Federation (ITF) Futures” dhe “Association of Tennis Professionals (ATP) Challenger”. Një gjykatës do të vendosë nëse të ndaluarit do të arrestohen formalisht apo jo, thanë prokurorët.