Ndodhi ajo pritej. Slloveni Millosh Kostiç është zyrtarisht trajneri i ri i Luftëtarit. Dje 46-vjeçari ka mbërritur në Gjirokastër, i shoqëruar nga ndihmësi i tij, i cili gjithashtu është slloven dhe do të jetë pjesë e stafit teknik të bluzinjve. Prej ditësh Kostiç ishte futur në bisedime me presidentin e Luftëtarit, Grigor Tavo, dhe akordi në parim ishte arritur, por zyrtarizimi u shty derisa gjirokastritët mbyllën kontratën me
trajnerin Hasan Lika, i cili udhëhoqi bluzinjtë drejt suksesit historik, atë të pjesë- marrjes në Ligën e Europës.
Gjatë së hënës, Kostiç ka biseduar detajet e fundit të kontratës me Tavon, duke konkretizuar marrëveshjen, e cila pritet të bëhet publike nga klubi vetëm gjatë ditës së sotme. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime në klub se slloveni ka firmosur një kontratë 3- vjeçare. Mirëpo, në të njëjtën kohë ish-trajneri i Kombëtares U-17 dhe U-19 të Sllovenisë ka pranuar kushtin e vendosur nga Tavo.
Marrëveshja ndërpritet në rast se Luftëtari në fund të sezonit të radhës e mbyll më poshtë se vendi i tretë në renditje. Synimet janë të qarta dhe misioni i trajnerit të ri nis më 12 korrik, kur do të luhet ndeshja e turit të parë të Ligës së Europës.
Nesër Kostiç do të zbresë në fushë për të drejtuar stërvitjen e parë të bluzinjve në orën 18:00 në ambientet e stadiumit. Pas bisedimeve me drejtuesit, është përgatitur edhe një listë lojtarësh, që janë të konfirmuar për Ligën e Europës. Skuadrës do t’i shtohen edhe katër afrime: një portier, një qendërmbrojtës dhe dy sulmues krahu. Klubi mban sekret emrat. Panorama