Një aksident i rëndë ka tronditur botën e basketbollit, teksa i ka marrë jetën përfaqësuesit të Kosovës, Gazmend Sinani.
Mediat kosovare bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur në Gjakovë në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Federata e Basketbollit e Kosovës me pikëllim të thellë njofton opinionin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës. Në po të njëjtin aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i reprezentacionit Kujtim Shala.
“Federata e Basketbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme”, thuhet në njoftim. Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar.
Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.
Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA. “Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak. Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit”, thuhet në njoftimin e FBK-së.