Ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë e vlefshme për Kampionatin Botëror ishte padyshim një nga ndeshjet më të bukura për shqiptarët, pasi dy golat që i dhanë fitoren Zvicrës u shënuan nga shqiptarët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri të cilët nuk nguruan të bëjnë simbolin e shqiponjës duke bërë krenar çdo shqiptar.
Por ndonëse disa kanë kundërshtuar gjestin e tyre, një nga gazetat më të mëdha zvicerane ‘Blick’ ka dalë në mbrojtje të dy futbollistëve. Përmes një postimi në Facebook, gazeta u kërkon lexuesve dhe ndjekësve të dërgojnë fotot e tyre me simbolin e shqiponjës.
“Dërgoni një fotografi tuajën me simbolin e shqiponjës në redaksinë e @blick.ch ose si një mesazh këtu në Facebook. Ne jemi të lumtur”- shkruan Blick.
Kujtojmë se FIFA ka hapur hetim disiplinor në lidhje me festimet me shqiponjë të dy futbollistëve me prejardhje shqiptare.