Shkëndija ka treguar vitet e fundit se është një ekip që e meriton të bëjë emër në Europë. Për dy vite radhazi tetovarët i ka shkuar shumë pranë fazës së grupeve në Europa League, por është eliminuar në fazën Play Off, fillimisht nga belgët e Gent dhe më pas nga Milani, vitin e kaluar.
Por sonte mund të jetë një tjetër histori. Në orën 20:45, kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e parë Play Off në “Lerkendal Stadion”, teksa këtë herë të tretë shorti u ka vënë përballë gjigantët norvegjezë të Rosenborgut.
Në konferencën e rastit për shtyp trajneri i Shkëndijës Qatip osmani nuk i ka fshehur ambiciet as në konferencën për shtyp, organizuar para ndeshjes me gazetarët vendas, teksa theksoi se Shkëndija ka shkuar në Norvegji për një rezultat pozitiv, pasi kërkon fazën e grupeve.
“Nesër (sot) dhe pas një jave Shkëndijën e presin dy ndeshje përballë një kundërshtari cilësor si Rosenborgu. Sigurisht që e kemi analizuar kundërshtarin dhe mund te them se bëhet fjalë për ekipin më të suksesshëm në Norvegji dhe ne kemi respekt të madh për të. Rosenborgu është skuadër me shumë eksperiencë, ky është realiteti, por Shkëndija do të bëjë çmos për të kaluar këtë pengesë, për të hyrë më pas në grupet e UEFA Europa League”, – deklaroi trajneri Qatip Osmani.