Që nga koha kur iku nga Alaveshi, ish-trajneri i kombëtares, Xhani De Biazi vazhdon të jetë një trajner i lirë duke mos gjetur ende një skuadër me të cilën të nisë nga puna
Në një intervistë të gjatë për “fcinter1908.it”, De Biazi ka komentuar fitoren e zikaltërve me përmbysje ndaj Totenhemit në Ligën e Kampionëve si edhe ka folur për të ardhmen e tij.
“Mendoj se ishte një fitore e merituar e Interit, pasi tregoi një shpirt më të madh gare dhe e kërkoi me çdo kusht fitoren që në fund e arriti. Goli i Eriksen mendoj se erdhi edhe për faj të Handanoviç që nuk e priti siç duhet goditje e parë, por edhe u vendos keq në momentin e dytë, megjithatë gjatë gjithë ndeshjes, ai ka bërë pritje të rëndësishme.
Me këtë fitore dhe lojë, mendoj se Interi po kthehet veç se i duhet pak kohë sa të ambientohen më mirë futbollistët e tjerë. Goli i Ikardit ishte i mrekullueshëm dhe më vjen mirë për këtë pasi jo vetëm që ai rritet personalisht, por ndihmon edhe skuadrën në objektivat.
E ardhmja? Jam në pritje me një motivim të madh. Mund të them se me kombëtaret dhe me Serinë A kam pasur disa kontakte”, tha mes të tjerash De Biazi.