Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, ka thënë se ylli belg i skuadrës së tij, Eden Hazard, nuk do të largohet nga klubi londinez, përkundër kontratës së tij që përfundon në vitin 2020.
Hazardi bëri të ditur javën e kaluar se ai është në dilemë pasi që nuk e di nëse dëshiron ta vazhdojë kontratën me Chelsean apo të kërkojë transferimin në Real Madrid. Ai ka thënë se Real Madridi ka qenë gjithmonë ëndrra e tij dhe nganjëherë zgjohet në mëngjes dhe dëshiron të transferohet aty. Megjithatë, ai shtoi se do të jetë i lumtur edhe nëse qëndron.
“Kontrata e tij përfundon në vitin 2010, por ai do të qëndrojë këtu. Ai thotë fjalë kaq të mira për mua, nuk e prisja një gjë të tillë”, ka thënë Sarri.
Telegraph Sport raporton se belgu nuk dëshiron ta rinovojë kontratën me Chelsea deri në fund të vitit. Ai do të presë ta shohë nëse Real Madridi i premton atij se do të bëjnë ofertë për transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të verës.
Nëse presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, vendosë ta bëjë një ofertë të tillë për belgun, atëherë Hazardi do t’i lajmërojë drejtuesit e Chelseat se dëshiron të largohet nga klubi londinez dhe nuk do ta pranojë ofertën për kontratë të re.
Nëse deri në fund të vitit, drejtuesit e Real Madridit nuk e kontaktojnë Hazardin, atëherë ai do ta rinovojë kontratën me Chelsean, pasi që 27-vjeçari nuk është i interesuar të luajë për asnjë klub tjetër përveç Chelseat dhe Real Madridit.