Novak Djokovic u kualifikua për herë të katërt në finalen e turneut të Shangait, pas fitores së lehtë në vetëm dy sete ndaj numrit 5 të botës, Alexander Zverev.
Pas suksesve radhazi në Cincinnati dhe US Open, 31-vjeçari nga Serbia vazhdon të bëjë përpara me shpejtësi, madje fitorja ndaj 21-vjeçarit nga Hamburgu është e 17-ta rresht për 3 herë fituesin e Mastersit të Shangait.
21-vjeçari nga Zagrebi vazhdon të tregojë një formë të shkëlqyer dhe këtë herë viktima e numrit 19 të botës ishte as më pak e as më shumë por vetë kampioni në fuqi, Roger Federer. Shtatë muaj më herët, në të parën gjysmëfinale në karrierë në një turne Masters të tenistit kroat, veterani helvet përmbysi disavantazhin e një seti dhe të një “game” me “break”, ndërsa në muajin qershor Borna Coric mori hak, duke bërë pak a shumë të njëjtën gjë në finalen e turneut të Halles, gjithsesi këtë radhë Coric zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe e theu 37-vjeçarin nga Bazeli nga një herë për cdo set, pikërisht në “game”-in hapës të çdo seti.
Në finalen e parë Masters në karrierë, pavarësisht bilancit 2-0 në favor të Noles, natyrisht Borna Coric nuk ka asgjë për të humbur, sidoqoftë, në ato ndeshje bëhet fjalë për përballje në fushë dheu, ndërsa këtë herë dy tenistët do t’i masin forcat për herë të parë në çimento, pra në sipërfaqe të shpejtë.
Të hënën e ardhshme tenisti kroat do të ngjitet për herë të parë në vendin e 13-të, në klasifikimin ATP, ndërkaq, në rast se fiton Novak Djokovic, atëherë tenisti serb do ta gjejë veten vetëm 35 pikë larg Rafës, që mban aktualisht edhe fronin në renditjen botërore të këtij sporti.