Portieri legjendar italian Gianluigi Buffon beson se shoku i skuadrës së tij te Paris Saint-Germain, Kylian Mbappé është ai që meriton të fitojë trofeun e “Topit të Artë”. 19-vjeçari e ndihmoi Francën në Kupën e Botës të fitonte trofeun, ndërsa theu disa rekorde. Buffon ka qenë i impresionuar me performancën e sulmuesit të ri që kur u transferua në Ligue 1 këtë verë.
"Mbappé është një fenomen", tha Buffon për “Tout Le Sport”. "Nëse ai vazhdon të dëshirojë të jetë më i miri, nëse e mban entuziazmin e tij dhe vazhdon të sillet normalisht, atëherë ai mund të bëhet numri 1 dhe të qëndrojë më i mirë për një kohë të gjatë”, vazhdoi legjenda e Italisë.
"Në Itali ata e krahasojnë atë me Roberto Baggio-n, Francesco Totti-n dhe Alessandro Del Piero, por ai ka talent dhe cilësi teknike që unë i kam parë rrallë në karrierën time. Për cilësitë e tij, atë që ai bën në fushën e lojës dhe se sa vendimtar ishte në Kupën e Botës ai e meriton Topin e Artë. Nuk mund të them të kundërtën", shtoi Buffon, që ka fituar gjithçka në karrierën e tij, përveç trofeut të Champions League, që shpreson ta fitojë në këtë sezon me Paris SG.