Shqiptari nga Kosova, Xherdan Shaqiri, shkaktoi polemika në Kampionatin Botëror në Rusi gjatë verës pasi festoi me “shqiponjë” pas golit të fitores në ndeshjen kundër Serbisë.
Kështu e nis artikullin media prestigjioze britanike “Independent”. Artikulli i cili mban datën e sotme thekson faktin se Shaqiri mund të mos ftohet fare në udhëtimin e Liverpoolit kundër Crvena Zvezdës në kuadër të Ligës së Kampionëve, pasi kjo mund të shkaktojë tensione politike.
Risjellim në vëmendje se simboli i shqiponjës në ndeshjen e Kupës së Botës shkaktoi tensione dhe reagime të shumta, sidomos në Serbi. Futbollistët si Xhaka dhe Shaqiri shënuan dy gola duke mposhtur Serbinë, ndërsa festën e shoqëruan duke bërë simbolin e Shqiponjës.
Pas transferimit tek skuadra e Liverpool, Xherdan Shaqiri duhet të përballet me skuadrën serbe të Zvezdas në Ligën e Kampionëve, por udhëtimi në ndeshjen e kthimit mund të bllokohet dhe këtë e njofton media britanike. Ditë më parë ka folur edhe gjakovari për ndeshjen me skuadrën serbe, teksa ka shtuar se: “Nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit. Unë thjesht shkoj për të luajtur futboll. Nuk merakosem për asgjë, dhe shkoj të luaj”. Nga ana tjetër, drejtori sportiv i klubit serb ka pohuar se ai do të bëjë të pamundurën për të mbrojtur Shaqirin.
“Mendoj se Shaqiri do të jetë në një presion të madh psikologjik sepse ai e di ku do të vijë”, tha Zvezdan Terzic. Takimi i shumëpritur do të zhvillohet ditën e nesërme, por më parë pritet të konfirmohet lista nëse gjakovari do të jetë me skuadrën apo do ta shohë sfidën nga ekrani. Kjo mbetet për t’u parë në orët në vijim.