Skënderbeu, pavarësisht ndryshimeve të mëdha që bëri në verë, vazhdon të dominojë kampionatin shqiptar dhe aktualisht është në kryesimin e tij. Agim Canaj, trajner i njohur që ka drejtuar në shumë klube të Superiores, deklaroi për “Sport News” se ky kryesim është mëse i merituar.
“Skënderbeu ka bindur, edhe pse fillimi ishte i vështirë. Por ajo që po tregon në fushën e lojës me të gjithë skuadrat, ku ka qenë dominues edhe ndaj atyre që kërkojnë titullin, ka bërë që Skënderbeu të jetë në këto nivele. Ka shumë senatore që e bëjnë të besojë se mund ta arrijë, Muzaka i ka dhënë 6 pikë, në këto momente është në rrugën e titullit. Por ajo është e gjatë, tani sapo ka filluar faza e dytë, është herët. Por e meriton deri në këto mente”, tha Canaj.
Sipas tij, meritë të madhe ka Orges Shehi, në eksperiencën e parë si trajner, por edhe klubi që ka një organizim të pashoq në Superiore.
“Orges Shehi, jo se ishte vetëm trajner, por edhe si njeri në kuptimin e shoqërisë, bëri që shumë lojtarë që mund të fitonin më shumë financiarisht në ekipe të tjera, arriti t’i bindte e t’i mbante aty. Ishte Muzaka e Radas në rastin konkret. Por të mos harrojmë që Skënderbeu po jep shembullin më të mirë në këto 8 vite, ka infrastrukturë, ka president që di të menaxhojë çdo situatë. E vetmja gjë negative është vendimi i UEFA-s”, deklaroi Canaj.