Klubi i Flamurtarit ka reaguar për sa i përket caktimit të Blerim Zirit si gjyqtar kryesor në takimin e nesërm me Kukësin.
Vlonjatët akuzojnë se Ziri është i afërm i drejtorit të menaxhimit te Kukësi, Ramadan Ndreu.
Në reagimin në fjalë thuhet:
“Klubi i Flamurtarit, pas kartonëve te panumërt të marrë ndeshjen e kaluar dhe pas pezullimit të Bathës prej pamjeve filmike, kur moviola ndërhyri në mënyre absurde për të ndryshuar vendimin e gjyqtarit, gjejmë rastin të ankoheni publikisht për zgjedhjen e gjyqtarit Blerim Ziri, për ndeshjen kundër Kukësit, të premten në Kamëz.
Ndeshja më e rendësishme e kësaj jave nuk mund të gjykohet nga një gjyqtar që ka drejtuar vetem një ndeshje sivjet në Superligë (jo rastësisht) Kukësi-Kamza.
Vjet ai u pezullua për skandale të tilla. Vec lidhjeve farefisnore me drejtorin e Kukësit, Ramadan Ndreu, personi ne fjalë nuk ka shkelur më shumë se dy herë ne vitin e fundit në fushën e lojës.
Pa asnjë lloj paragjykimi, vetëm bazuar në fakte, kërkojmë që kjo luftë e hapur ndaj Flamurtarit të mbyllet. Mes shumë gjyqtarëve, ne pranojmë cilindo me përjashtim te nipit të Ndreut”.