Serxhi Buskets, mesfushori i Barcelonës, është i zhgënjyer me barazimin e arritur në “San Siro”, duke qenë se ai dhe shokët e tij e dominuan ndeshjen, në çdo aspekt, por në fund iu dorëzuan një goli, të marrë me goditjen e parë që bëri Interi në portë.
“E gjithë skuadra tregoi për të dytën ndeshje me radhë një sinjal të fortë. Bëmë një hap të madh përpara, duke ofruar sërish një futboll spektakolar, edhe pa Mesin në fushë dhe kjo është një tjetër ‘armë’ mbi të cilën duhet të punojmë. Sërish e dominuam ndeshjen dhe Interin në çdo aspekt.
Ofruam një zotërim topi gati perfekt, por shpërdoruam shumë, sidomos në pjesën e parë dhe këtë e paguam me pësimin e një goli idiot. Nuk arrij ta kuptoj sesi arriti topi që të karambolonte në zonë në atë mënyrë idiote, por e pësuam, ndaj herë tjetër duhet të spastrojmë më shpejt zonën, – vazhdon spanjolli, që përkëdhel edhe të rilindurin Malkom.
Ai është një lojtar që ka vuajtur shumë në këtë fillimsezoni, por cilësitë i ka dhe të gjitha ato i tregoi në debutimin fenomenal që bëri kundër Interit. Një sulmues si ai do t’i duhet Barcelonës dhe shpresojmë që pas këtij goli të ketë larguar një barrë të rëndë nga shpatullat. Tani nuk na mbetet që në ndeshjen e radhës të mbyllim edhe llogaritë me vendin e parë në grup”.