Bashkëpunimi i nisur pak kohë më parë mes KF Vllaznia dhe “Derby Football Academy” të Nigerisë është konkretizuar sot me firmosjen e futbollistit të parë të kësaj të fundit me klubin shkodran.
Bëhet fjalë për futbollistin Izunna Christopher Metu Jesus, një 19 vjeçar që konsiderohet si një nga më të talentuarit e kësaj Akademie dhe që nga sot është zyrtarisht pjesë e Vllaznisë.
Ai ka firmosur për një sezon me klubin shkodranë dhe pritet të mbërrijë në ditët e ardhshme në Shqipëri, për t’u vënë menjëherë nën urdhërat e trajnerit Hasan Lika. Metu Jesus luan në pozicionin e sulmuesit dhe bashkë me lojtarët e tjerë të këtij reparti, pritet të bëjnë më të mirën për skuadrën në gjysmën e dytë të sezonit.
Ardhja e këtij lojtari është vetëm fillimi i zyrtarizimit të marrëveshjes së bashkëpunimit që dy drejtuesit e lartë të klubit Vllaznia, administatori Lici dhe drejtori sportiv Firat patën arritur muajin e kaluar gjatë vizitës së tyre në Nigeri.