Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, i kërkoi falje një tifozi të zemëruar të Chelseat pasi u konfrontua jashtë stadiumit Vitality, pas disfatës turpëruese ndaj Bournemouthit me rezultat 4:0.
Trajneri Sarri, i cili tani rrezikon ta humbasë pozitën e trajnerit pasi pësoi disfatën më të keqe që 23 vite në Chelsea, ishte duke shkuar te vetura e tij, kur u ndalua nga një tifoz i klubit londinez, transmeton Gazeta Express.
Një grup i vogël i njerëzve e rrethuan Sarrin dhe tifozin e Chelseat, megjithatë zëri i tifozit të zemërohet mund të dëgjohet edhe në videot e publikuara në rrjetet sociale.
“Maurizio, duhet të japësh dorëheqje pas asaj paraqitje, ishte e tmerrshme. E tmerrshme, e tmerrshme, e tmerrshme. Ti s’mund t’i motivosh ata, ti e ke pranuar se mund të jesh duke i përdorur gabimisht. Ishte një paraqitje e shpifur, më e keqja ndonjëherë”, dëgjohet duke thënë tifozi.
Sarri reagoi vetëm duke i kërkuar falje dhe i tha tifozit se ka plotësisht të drejtë të jetë i zemëruar për shkak të asaj që ka ndodhur.
Të mërkurën, Chelsea i humbi tri pikë të rëndësishme në garën për një vend në top katërshe, pasi pësoi disfatë turpëruese me rezultat 4-0, në ndeshjen kundër Bournemouthit.
Përderisa pjesa e parë përfundoi pa gola, skuadra e Sarrit u trondit në pjesën e dytë të ndeshjes, kur portieri Kepa Arrizabalaga u mposht në katër raste, dy herë nga Joshua King dhe nga një herë prej David Brooks dhe Charlie Daniels.
Përveç tri pikëve, klubi londinez e humbi edhe vendin në pozitën e katërt të Premierligës, për shkak të këtij rezultati. Kritikët e Sarrit besojnë se ai duhet ta ndryshojë stilin e tij të lojës pasi që deri më tani ky stil nuk ka pasur sukses.