Cristiano Ronaldo e ka arritur një tjetër sukses historik në karrierën e tij me klube, duke e lënë prapa rivalin e tij të vjetër, Lionel Messin.
Cristiano Ronaldo e shënoi golin e tij të 600-të në karrierën e jashtëzakonshme me klube, në barazimin 1:1 të Juventusit kundër Interit sonte, duke e lënë pas vetes Lionel Messin e Barcelonës, transmeton Gazeta Express.
Ylli portugez e shënoi këtë gol në minutën e 62-të për ta barazuar rezultatin, pasi Radja Nainggolani e kishte shënuar një gol tejet të bukur për ta kaluar Interin në epërsi.
Goli i Ronaldos u asistua nga Miralem Pjanici i Juventusit dhe portugezi arriti ta gjejë qoshen e poshtme në krahun e djathtë të portierit me një goditje të fuqishme.
Ronaldo e arriti këtë shifër të golave para Messit, pasi ylli i Barcelonës aktualisht i ka 598 gola të shënuara për katalonasit.
34-vjeçari i ka shënuar 20 gola në 28 paraqitjet e tij në Serie A, duke u ndihmuar kështu bashkëlojtarëve të tij ta fitojnë titullin e tetë radhazi të Serisë A, rekord ky që nuk e kishte arritur asnjëherë në histori ndonjë klub në top pesë ligat e Evropës. /Gazeta Express/