Ekipin kombëtar të Kosovës në ndeshjen kundër Anglisë më 10 shtator do të shkojnë për ta mbështetur rreth 50 tifozë nga Kosova, në formë të organizuar. Megjithatë, përkrahje për Kosovën do të ketë edhe nga tifozët shqiptarë në Angli e vendet tjera evropiane.
Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjet e radhës në kuadër të Grupit A për kualifikime në Kampionatin Evropian 2020 gjatë muajit shtator.
Për t’i rritur gjasat për kualifikim drejtpërdrejt nga ky grup, Kosova do ta zhvillojë së pari ndeshjen shumë të rëndësishme kundër Çekisë. Kjo ndeshje do të zhvillohet më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Vetëm tri ditë më vonë, futbollistët e Kosovës do të përballen me njërën ndër Kombëtaret më të mëdha në botë, Anglinë, në stadiumin “St.Mary’s”, në Angli. Tashmë veçse janë shitur të gjitha biletat për këtë ndeshje.
Anglia ka më së shumti gjasa ta fitojë këtë grup, kështu që Kosova e ka kundërshtaren më të fortë për pozitën e dytë, që ta sigurojë kualifikimin në EURO 2020, Çekinë.
Megjithatë, edhe nëse nuk e zë njërën ndër dy pozitat e para në këtë grup, Kosova mund të kualifikohet përmes play-offs, ku e siguroi vendin në gjysmëfinale duke triumfuar në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.