Raportet e këqija me lojtarët e tij trajneri i Manchester United i zgjidh duke i larguar nga skuadra. Këtë herë është radha e Paul Pogba për tu larguar nga ky ekip. Tashmë raportet mes mesfushorit francez dhe trajnerit Mourinho janë përkeqësuar shumë javët e fundit dhe në shumë ndeshje portugezi e ka lënë 25-vjeçarin në stol dhe këtu përfshihen edhe përballjet e Ligës së Kampioneve ndaj Sevillas në 1/8 e finaleve.
Për largimin e Pogbas flitej prej kohësh nga ‘Djajtë e Kuq’, zëra që fillimisht janë mohuar nga Mourinho. Por kjo gjë nuk e ka penguar median britanike që të flasë me shumë siguri në lidhje me këtë çështje, duke theksuar se Pogba do të jetë një prej lojtarëve që do të lënë ‘Old Trafford’ verën e ardhshme.
Është arritur deri aty sa të theksohet se tashmë Manchester United ka vendosur çmim për futbollistin. Sipas tabloidit ‘Daily Mail’, ‘Djajtë e kuq’ kërkojnë 103 millionë Euro për kartonin e mesfushorit të përfaqësueses franceze, shifër që do të kompensonte atë që Manchester United shpenzoi për ta blerë nga Juventusi në verën e vitit 2016. Po sipas ‘Daily Mail’, përveç Pogba, në listën e të larguarve nga Manchester United duket se janë edhe Martial, Darmian e Blind.