Neymar po u shfrytëzon më së miri periudhën pushim për shkak të dëmtimit duke kaluar kohë me të dashurën e tij, aktoren braziliane Bruna Marquezine.
Sulmuesi i Paris SG përdor ende një mbrojtëse për këmbën e tij të djathtë, që e operoi për shkak se theu metarsalin gjatë ndeshjes në shkurt kundër Marseille-s, por kjo nuk e ka penguar që të bëjë pazar në një qendër tregtare së bashku me Bruna-n.
Neymar dhe Marquezine janë fotografuar duke shijuar momente romantike në “Shopping Village Mall” në Barra de Tijuca. Pavarësisht dëmtimit, 26-vjeçari shihet teksa ecën pasi ndihmohet nga Bruna, e cila e mban të dashurin e saj përdore.
Shihet që modelja dhe aktorja braziliane shpeshherë e motivonte futbollistin edhe me ndonjë puthje, që nuk e kursen gjatë ‘shopping-ut’ në qendrën tregtare.
Neymar që u operua në fillim të muajit mars mendohet se mund t’i rikthehet fushave të gjelbra në datën 17 maj.
Kjo do t’i mundësonte që të përfaqësonte vendin e tij në Botërorin rus, ku ndeshjen e parë e luajnë kundër Zvicrës me datë 17 qershor. Në një aktivitet promovues në Sao Paolo ai tha: “Ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin. Kam analizat e fundit, në qoftë se nuk gaboj, mund të them që me datë 17 do stërvitem.”
“Unë shpresoj që nuk do ta shikoj Kupën e Botës nga televizori. Do të kem kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur. Po përparoj mirë. Do të jem më në formë se më parë.”