Java e 30 e Kategorisë Superiore do të mbyllet me takimin më emocionues, me superndeshjen mes Partizanit dhe Skëndërbeut.
Pavarësisht shkëputjes së korçarëve dhe me çështjen e titullit të mbyllur në dukje, përballja me Partizanin ka dhuruar gjithmonë gjithçka: nga emocionet, golat, episodet dhe deri tek kontestimet e pashmangshme.
Skëndërbeu nxiton të mbylli llogaritë edhe matematikisht për titullin, ndërkohë që “Të Kuqtë” e Dalipit kërkojnë të harrojnë sa më shpejt atë që ndodhi në Kukës, fundjavën e shkuar. Qëllimi i Partizanit është i qartë për këtë kampionat, zona europiane, për të cilën për momentin ka mbetur vetëm vendi i tretë në lojë, pasi Kukësi në vendin e dytë është shkëputur ndjeshëm.
Kjo përballje do të jetë e katërta dhe e fundit për sezonin 2017/2018 mes Partizanit dhe Skëndërbeut. Kryeqytetasit ende nuk kanë arritur t’i shënojnë asnjë gol korçarëve në tre ndeshjet e mëparshme, të cilat kanë përfunduar dy me fitoren e Skëndërbeut dhe një në barazim pa gola.
Kjo është arsyeja pse Klevis Dalipi do të përpiqet të luajë të gjitha kartat me ndeshjen e sotme, nëse do që të jenë ende në garë për zonën europiane.
Ndërkohë nga ana tjetër, trajneri i skuadrës korçare, Ilir Daja është përpjekur të improvizojë me formacionin e sotëm për shkak të mungesave të tre lojtarëve kryesorë si Shehi, Soue dhe Xhejms. Reparti i avancuar i Skëndërbeut do të udhëhiqet me shumë mundësi nga Emiliano Vila, i mbështetur nga Muzaka dhe Gavazaj.
Takimi mes Partizanit dhe Skëndërbeut do të luhet në “Selman Stërmasi”, në orën 19:00.