Në konferencën e dhënë sot për shtyp, trajneri i Skëndërbeut, Ilir Daja, për ndeshjen që korçarët do të luajnë në Kupë kundër Flamurtarit, ka pranuar gjendjen e përkeqësuar psikologjike të ekipit për shkak të dënimit të UEFA-s.
Gjendja e ekipit?
Sot është dita e fundit e përgatitjeve për gjysmëfinalen. Nuk jemi në aspektin e duhur psikologjik dhe kemi disa mungesa të rëndësishme, por edhe disa të tjerë që janë në dyshim si Vangjeli, Radas e Osmani, të cilët kanë problemë shëndetësore dhe duhet të shohim në seancën e fundit për të përcaktuar nëse do të luajnë nga fillimi apo jo.
Takimi ndaj Flamurtarit?
Është një ndeshje e vështirë, pasi Kupa është me sistem eliminimi, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm në të dyja ndeshjet për të bërë të mundur arritjen e objektivit, që është fitimi i Kupës.
Gjendja psikologjike?
Po mundohemi të gjithë si staf që ta kalojmë këtë moment dhe të përqendrohemi te ajo që është më e rëndësishme për ne fusha e lojës.
Çështja e rrogave?
Të Skënderbeu nuk ka çështje rrogash. Disa lojtarë kanë qenë në këtë klub për një kohë të gjatë dhe e dinë se çdo lojtar paguhet deri në qindarkën e fundit. Është një situatë krejt normale. Ndoshta kemi të bëjmë me ndonjë vonesë, por nuk ka çështje rrogash.
Rotacioni në ekip?
Çdo lojtar i Skënderbeut është këtu sepse e ka merituar. Edhe ata lojtarë që kanë patur pak minutazh duhet të tregojnë nesër se janë këtu për të bërë më të mirën për veten e tyre dhe për Skënderbeun.
Kupa e Shqipërisë?
Është një trofe i munguar për klubin dhe ne do të punojmë fortë për të sjellë në këtë qytet të dy trofetë këtë sezon.