Trajneri i kombëtares, Christian Panuçi, e ka përsëritur shpeshherë se Shqipëria është me fat që ka dy portierë shumë cilësorë.
Thomas Strakosha dhe Etrit Berisha janë dy ndër “gardianët” më të mirë në kampionatin italian dhe po flasim për “atdheun” e portierëve, një vend që i ka dhuruar futbollit disa nga personat më të aftë në mbrojtjen e portës.
Në sezonin aktual, si Strakosha po ashtu edhe Berisha janë paraqitur në nivele të larta, duke qenë kryesorë për Lazion e Atalantën, gjë që nuk ka kaluar pa vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Në portalin e njohur britanik “offsideruleopodcast. com” janë listuar pritjet më të mira të këtij edicioni dhe në “TOP 3” ndodhen të dy portierët e kombëtares tonë. Ndërhyrja fantastike e Strakoshës në takimin Verona-Lazio renditet në shkallën më të ulët të podiumit. 23-vjeçari reagoi me shpejtësinë e dritës pas një goditjeje dënimi, duke evituar një gol të sigurt.
Në vendin e dytë të kësaj renditjeje ndodhet portieri tjetër shqiptar, Etrit Berisha. 29-vjeçari kuqezi bëri një pritje të mrekullueshme në sfidën kundër Spalit. Ai devijoi një gjuajtje nga një distancë e afërt, e cila po i drejtohej cepit të portës dhe që dukej e pamundur për t’u arritur. Vlerësimi maksimal për të 2 portierët e kombëtares shqiptare, bën që zgjedhja e titullarit të jetë mjaft e vështirë për Panuçin.