E gjithë vëmendja e mbrëmjes së sotme do jetë në “Allianz Arena”, ku Bajren do të presë Real Madridin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve.
Për kampionët e rikonfirmuar të Gjermanisë kjo është mundësia për të marrë hakun ndaj madrilenëve, pas eliminimit që këta të fundit i shkaktuan sezonin e kaluar në çerekfinale. Tekniku i bavarezëve këtë radhë është Jupp Heynckes, i fundit që eliminoi Realin në vitin 2012. Me rikthimin e tij në pankinën e bavarezëve, futbollistët kanë fituar shumë besim.
Po në këtë takim Bajren nuk do të ketë dy nga superyjet e tij Neuer dhe Arturo Vidal të dëmtuar, ndërkohë që edhe Alaba është në dyshim, por te kjo skuadër janë të bindur se mund të eliminojnë Realin. Arma më e fortë e bavarezëve është Robert Lewandowski, i cili e di shumë mirë si ti acarojë spanjollët.
Ndërkohë nga spanjollët, duket se trajneri Zinedine Zidane ka vendosur të besojë te Benzema për të qenë përkrah Cristiano Ronaldos në repartin e avancuar të kampionëve në fuqi të Evropës, ndërkohë që Bale edhe këtë radhë duket se do ta nisë sfidën nga stoli. Padiskutim, kërcënimi më i madh për mbrojtjen bavareze do të jetë Cristiano Ronaldo. Portugezi është në formën më optimale të tij, duke u bërë vendimtar për Realin e Madridit në këtë pjesë të dytë të sezonit. Ndër të tjera, Ronaldo duket se është pothuajse i vetmi lojtar që shënon gola për Zidane, sidomos në Ligën e Kampioneve ku po thyen çdo rekord. Bajreni është një ndër viktimat e preferuara të Ronaldos, me 33-vjeçarin që ka shënuar 9 gola në 6 përballje me bavarezët.