Kukësi siguron nën tension Europën, Lushnja fundin e tabelës

Saturday, 05 May 2018 18:13

Kukësi fitoi me rezultatin 2-1 kundër Lushnjes. Në fakt takimi që u luajt në stadiumin “Zeqir Ymeri” ishte një nge ndeshjet e cila u konsiderua me më pak rëndësi, pasi verilindorët janë shumë në formë, ndërsa ekipi mik e ka prerë biletën për të rënë nga Kategoria Superiore. Në futboll nuk dalin llogaritë dhe ky ishte rasti që u tregua më mirë. Vendasit u menduan se do ta fitonin lehtë takimin kundër lushnjarëve, por 45-minutat e para u mbyllën në barazim. 
Pjesa e parë – Takimi foli për ekipin e Kukësit, i cili u vu menjëherë në kontroll të lojës. Skuadra vendase ishte më lart se miqtë dhe kontrolloi topin. Në fakt, verilindorët ishin më afër portës së mbrojtur nga Spaho. Kukësi ishte më i rrezikshëm me sulmuesin Guri dhe me Shkodrën që e mbështeti mjaft mirë. Në fakt, duhet të vinte minuta e 33-të që të zhbllokohej rezultati. I zakonshmi Guri arriti të shfrytëzonte një përgjumje të mbrojtjes dhe arriti të dërgonte topin në rrjetë, duke shënuar golin e 17-të sezonal.

Lushnja nuk u dorëzua dhe në aksionin e radhës që pati në portën e vendasve fitoi një penallti. Mbrojtësi Hoxha gaboi në ndërhyrje dhe shkaktoi penallti. Sulmuesi Brunild Pepa e mori përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe e dërgoi në rrjetë duke barazuar shifrat.

Pjesa e dytë  - Skuadra  e Kukësit nuk kishte asnjë alternativë tjetër përveç fitores. Tekniku Peter Pacult kërkoi të luante të gjitha kartat dhe hodhi në fushë sulmuesin Balde. Ky i fundit, arriti të gjente rrugën e rrjetës vetëm pas 3 minutash lojë duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Kalimi i minutave nuk ishte aq i lehtë, pasi skuadra e Kukësit u mundua të gjente golin e qetësisë, por nuk ja doli mbanë.  Në fund, Kukësi arrin në kuotën e 61 pikëve dhe siguron matematikisht Evropën, ndërsa Lushnja rikthehet në origjinë, duke humbur ndeshje. /EDS

Kategoria Superiore, java e 32-të

Kukësi – Lushnja 2-1

E shtunë, 5 maj 2018, ora 16:00, stadiumi “Zeqir Ymeri”, Kukës

Shënues: Guri 33’, Balde 60’ / Pepa 39’ (pen)

Kukësi: Frashëri, Zderic, Musolli, Hoxha, Rrumbullaku, Idrizi, Dzaria (Joti 90'+4'), Imami, Ethemi (Balde 57’), Shkodra (Peposhi 62’), Guri. Trajner: Peter Pacult

Lushnja: Spaho, Magani, Prençi (Meto 22’), M.Korreshi, Marku, Gava, Taullau (Haxhiu 70’), Pepa, Papa, Mone, Sefa. Trajner: Ilir Gjyla

Gjyqtar: Indrit Myrtja (Shkodër)

Kartonë të verdhë: Hoxha 38’, Zderic 78’, Peposhi  / Sefa 2’, Korreshi 65’, Haxhiu 73’, Papa 80’
Karton i kuq: Pepa 78’

Login to post comments