Luftëtari i falet portierit, Kamza shpërdoron penalltinë

Saturday, 05 May 2018 18:17

Kë përfunduar me rezultatin 0-0 takimi në Kamzë mes ekipit vendës dhe Luftëtarit. Stefan Raçiç humbi mundësinë e artë për ekipin e Julian Ahamtajt në minutën e 76, duke humbur penalltinë përball portierit grek të Luftëtarit. Gjirokastritët në fund i gëzohen pikës së marrë në transfertën e vështirë të Kamzës për rrugën drejt Europës, ndërsa ekipi vendës la dy pikë që do t’i jepnin siguri për mbijetesën në këtë sezon në Superiore.

Pjesa e parë - Kamza u duk më e vendosur për të marrë rezultat pozitiv në fushën e saj dhe për të mos neglizhuar në asnjë sekondë të takimit. Që në minutat e para ekipi i Julian Ahamtajt u ngjit në vijën e sulmit, por që gjuajtjet drejt kuadratit munguan, kjo edhe për zotësi të mbrojtjes dhe portierit të bluzinjve.

Kombinimet ishin të sakta mes Fukuit, Idrizajt dhe Filit, por në fund gjuajtja finale ka munguar. Duhet theksuar se mungesa e Plakut në këtë përballje tregonte në pjesën e parë se Kamza vuante në sulm, sidomos kur edhe Raçiç nuk ishte në fushë.

Në 30 minutat e para të takimit Luftëtari edhe pse konkurron për Europën, sërish luajti në mbrojtje, duke mos tentuar kuadratin. Edhe në formacionin bluzi në këtë takim ka mungesa, ku Abazaj nuk ka zbritur në fushë, që do të thotë se Bregu e ka pasur të vështirë që të kombinojë.

Në minutën e 30 ka qenë japonezi Masato Fukui që ka kërkuar kuadratin e portës, por që në fund ka qenë një nga mbrojtësit e Luftëtarit që ka larguar topin në goditje këndi. Megjithatë, ekipi kamzali ishte më tepër superior në lojë kundrejt Luftëtarit që bëri mbrojtje të mirë gjatë gjithë minutave të para të sfidës. Madje, nuk kanë munguar as momentet e tensionit, por që kryesori Jorgji është treguar i duruar duke mos i ndëshkuar skuadrat.

Pjesa e dytë – Vendasit ishin të vendosur për të ndryshuar rezultatin, ndërsa loja e tyre vijoi të mbetej në sulm. Luftëtari normalisht bënte rezistencë, por dhe fati ka qenë me ta në këtë ndeshje. Në minutën e 57 Frashëri mori një inkursion në krahun e djathtë dhe topin e dërgoi te Fili, por fieraku e nënvlerësoi duke kërkuar të bënte finte para zonës, por që nuk arriti të shfrytëzonte mundësinë e artë. E njëjta situatë përsëritet dhe në minutën e 59, por sërish Fili kërkoi të gjuante me roveshatë duke mos i pasuar Fukuit që e kishte pamjen e qartë.

Minuta e 76 ishte vendimtare për ndeshjen. Idrizaj futi një top në zonë për Stefan Raçiç, por ky i fundit u shty nga Beqiri dhe arbitri Enea Jorgji nuk hezitoi për të vendosur dorën te pika e bardhë e penalltisë. Raçiç gjuajti në krahun e djathtë, por Athanastasopulos priti duke e larguar këtë rrezik që mund të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes për minutat e mbetura.

Kamza e kërkoi me ngulm golin duke mos u dorëzuar deri në përfundim të 90 minutave, por Luftëtari mori atë që kërkonte nga ky takim, barazimin, i cili për ta ka shumë vlera për rrugën drejt Europës. Deri në fund, shifrat mbetën të pandryshuara, teksa Kamza ndërlikon pozitat në fundin e tabelës. /EDS/

KAMZA – LUFTËTARI 0-0

Kamza: Avdyli, Frashëri, Cukovic, Arrabal, Zguro, Zefi (Mumajesi 87’), Malaj, Idrizaj, Mehmeti (Raçiç 70’), Fukui, Fili (Rezi 74’). Trajner:Julian Ahmataj

Luftëtari: Athanastasopulos, Rapa, Jakovljevic, Beqiri, Demo (Rapo 71’), Ramadani, Aleksi, Liçaj (Lamçja 80’), Rroca, Bregu, Shkurtaj (Aurelio 60’). Trajner: Hasan Lika

Gjyqtar: Enea Jorgji (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Zefi 60’, Mehmeti 67’, Fukui 77’, Zguro 84’ / Liçaj 26’, Ramadani 53’, Demo 53’, Aleksi 70’

Modifikuar më Saturday, 05 May 2018 18:28
Login to post comments