Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Christian Panucci, ka mbajtur sot në FSHF një mbledhje me kolegët e tij kuqezinj të kombëtareve të moshave dhe me drejtues të Federatës.
Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë një stërvitje përgatitore 10-ditore në Zvicër, në fillim të muajit qershor, ku do të luajë edhe ndeshjen miqësore me Ukrainën.
“Guri po shkëlqen me Kukësin? Ai ia ka bërë vetë vendin vetes në Kombëtare, nëpërmjet paraqitjeve dhe golave që po shënon. Duhet të vazhdojë të punojë dhe shpresojmë të jetë pjesë e grupit. Sidoqoftë, gjithçka varet nga ai. Unë ftoj gjithnjë më të mirët.”
Panucci ka folur edhe për ndihmësin e tij të ri, Marco Cassettin: “Besoj se ka mbi 300 ndeshje në Seria A. Kemi qenë shokë skuadre te Roma. Kam një marrëdhënie mjaft të mirë me të, mund të më ndihmojë sidomos me mbrojtësit. Puna e tij do të ketë shumë vlera në përmirësimin e repartit difensiv.” tha Panucci.